Filmi ‘Recollection’ vjen të premten në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

10 Tetor, 2017 - 3:48 pm

Filmi ‘Recollection’ me regji të Art Haxhijakupi vjen në Kinema “Jusuf Gervalla” në Pejë, përcjellë KultPlus.

Filmi ‘Recollection’ është film eksperimental i prodhuar në vitin 2017 i cili vë në pah jetën e kosovarëve gjatë viteve 90-të krahas regjimit të Milosheviqit dhe superioritetit të atëhershëm të komunitetit serb në Kosovë.

Autori i filmit, Art Haxhijakupi, përdorë materiale nga arkiva familjare e viteve 90-të në Pejë duke ndërtuar një tregim të ndërlikuar përmes së cilit elemente nga historia e diskursit politik, pop kultura, nacionalizmi dhe ideali kombëtar ofrojnë një qasje të re ndaj interpretimit të së kaluarës dhe kujtesës kolektive. Temat e ndërlidhura të këtij filmi u themeluan dhe shtjelluan paraprakisht në kuadër të një projekti akademik gjatë viteve 2015-16, ndërsa në fillim të vitit 2017 u adaptuan në format filmik.

Ky film është shfaqur fillimisht në festivalin e filmit Dokufest në Kosovë, kurse së fundi u prezantua në Londër në kuadër të programit për studime shqiptare “Alexander Nash” në universitetin me renome botërore University College London.

‘Recollection’ vjen më datë 13 tetor prej orës 19:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme