Filmi i regjisorit kosovar në dy festivale prestigjioze (FOTO)

5 Nëntor, 2017 - 3:04 pm

‘Memory’ film i metrazhit të shkurtër nga regjisori kosovar Ilirjan Himaj, po vazhdon suksesshëm rrugëtimin në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Një rrëfim prekës, siç është ai i filmit ‘Memory’, gjatë muajit nëntor do të shfaqet në dy festivale prestigjioze në USA dhe Angli. Lajmin e ka bërë të ditur për KultPlus, vetë regjisori Himaj i cili edhe ka treguar data e shfaqjes së filmit.

“Më 10 nëntor ‘Memory’ do të shfaqet si pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 30-të të Virginia Film Festival, i cili mbahet në Virginia-USA. Pjesë e festivalit do të jenë shumë figura me renome botërore dhe vlen të theksohet se do të jetë edhe regjisori i madh Spike Lee dhe aktori i nominuar për Oscar dhe Golden Globe William H.Macy”, theksoi Himaj, duke vazhduar të tregoj se menjëherë ditën e nesërme pra më 11 nëntor ‘Memory’ do të shfaqet edhe në Angli.

“Ndërsa më 11 nëntor filmi do të shfaqje si pjesë e konkurrencës zyrtare në edicionin e 15-të të Cornwall Film Festival në Angli”, pohoi Himaj.

‘Memory’ sjellë rrëfimin e plakut Sylë, i cili është i sëmurë me Alzaimer. Ai del nga shtëpia për të blerë një lodër për nipin e tij. Në përballje me sëmundjen, të ftohtit e dimrit dhe reshjet e borës, ai nuk arrin të kujtojë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Filmi është jetësuar nga aktorët: Xhevat Qorraj, Igballe Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi, Agron Shala.

Ky film deri tani është shfaqur në disa festivale ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe 31-th Edmonton International Film Festival (Oscar qualifying), 50-th Humboldt International ku edhe është shpërblyer me dy çmimet kryesore të festivalit, Best narrative dhe Best of fest overall, 65-th Columbus International Film and Video Festival, ku dhe ka pas premierën botërore dhe në 17-th Festival Internacionale De Cine de Lanzarote.

‘Memory’ me skenar dhe regji të Ilirjan Himaj për Drejtor Fotografie dhe montazher ka Latif Hasollin, producent është Agron Shala ndërsa kompozitor Memli Kelmendi./ KultPlus.com

Të ngjajshme