Filmi shqiptar “Mbjellja e pemëve”, më 25 maj në Marketin e Filmit në Kanë

21 Maj, 2022 - 8:57 pm

Qendra Kombëtare e Kinematografisë është pjesë e edicionit të 65-të të “Marche du Film”, në Kanë, të Francës, tregu më i madh i kinematografisë europiane, i cili vijon deri më 25 maj dhe pret profesionistë film-dashës nga gjithë bota.

QKK bën me dije se në Marketin e Filmit do të shfaqet filmi me metrazh të shkurtër “Mbjellja e pemëve”, skenari Ylljet Aliçka, regjia Fabio Seferi, prodhim i shtëpisë kinematografike “Makers Production shp.k” me producent Mateus Cingi.

Filmi rrëfen dramën e një nëne, që kërkon varrin e të birit në vitet e errëta të komunizmit. “Mbjellja e pemëve” u xhirua gjatë muajve të parë të pandemisë. Filmi do të shfaqet në Kanë më datë 25 maj.

QKK për këtë pjesëmarrje shprehet se rreth 120 shtete janë të përfaqësuara me stendat e tyre në Marche, mbi 12.500 të akredituar që takohen dhe ndjekin panelet e panumërta në 33 vende të ndryshme, mbi 4.000 filma dhe projekte që prezantohen gjatë Marche-së.

“Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të promovojë prodhimet e fundit filmike të financuara nga QKK, si edhe projektet që janë në fazë përgatitore ose prodhimi. Kineastët pjesëmarrës në Market do të zhvillojnë takime me bashkëprodhues dhe distributorë. Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen takime me drejtues të institucioneve ballkanikë dhe evropianë të filmit”, thuhet në faqen e qendrës.

Po ashtu QKK do të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kinematografisë me Qendrën e Filmit Franceze (Centre Nationale de Cinema et de l’image Animée).

Gjithashtu do të zhvillohet një takim i rëndësishëm midis drejtuesve të qendrave të filmit në Ballkan dhe Ministrisë së Kulturës së Italisë e cila përfaqësohet nga z. Roberto Stabile.

Sipas QKK, ky takim do të zhvillohet në vijim të nismës për krijimin e një fondi të përbashkët ballkanik, i cili do të mbështesë financiarisht projektet filmike të vendeve anëtare. Stenda e Shqipërisë së bashku me Kosovën është në Village International Riviera – Pavilioni Nr. 134. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme