Filmi “Vdekja e Kalit” bën hapjen e kinemasë së AQSHF-së për shfaqje sipas kërkesave

3 Maj, 2022 - 10:58 am

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka njoftuar se kinemaja e institucionit do të jetë në dispozicion të publikut për shfaqje në ekranin e madh të filmave në ditët dhe oraret e kërkuara nga publiku duke filluar nga e premtja, datë 6 maj 2022.

Programi ‘KINOJONË’ do të nisë me shfaqjen e filmit ‘Vdekja e Kali’ (Saimir Kumbaro 1992) në versionin e tij dixhital të restauruar, një shfaqje që ndodh paralelisht me shfaqjen në arte.tv (mars-qershor 2022), platformë që promovon kinematografinë europiane dhe që e ka shtrirjen territoriale në vendet e EU, EFTA, UK dhe Zvicër. Duke qenë se arte.tv nuk e mbulon territorin shqiptar dhe filmi i restauruar ‘Vdekja e kalit’ nuk mund të shihet nga publiku në Shqipëri, AQSHF do ta verë atë në dispozicion të publikut me shfaqje në sallën e kinemasë në AQSHF.

“Jemi të lumtur që arti dhe kultura mund të kapërcejnë kufijtë që vendos gjeopolitika dhe jemi krenarë që kinematografia shqiptare është tashmë pjesë e kinematografisë europiane duke u promovuar krahas 19 vendeve të tjera në programin ArteKino Classics në arte.tv.”, thuhet në njoftim.

‘Vdekja e Kalit’ (Saimir Kumbaro 1992), shfaqje e versionit të restauruar me introduksion mbi restaurimin dhe prezantime videosh para dhe pas restaurimit vjen më datë 6 maj në ora 18:00. Në këtë ngjarje do të jenë të pranishëm edhe artistët dhe autorët e filmit.

Në njoftim është bërë e ditur që çdo ditë pas datës 6 maj 2022, ju mund të dërgoni kërkesën tuaj për shfaqje në adresën [email protected] duke lajmëruar titullin e dëshiruar nga fondi i AQSHF-së si dhe datën dhe orarin e parapëlqyer. Stafi i AQSHF-së do t’ju kontaktojë për konfirmimin. / KultPlus.com

Të ngjajshme