Filmi ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Meksikë

10 Shtator, 2021 - 6:51 pm

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në shkurt të këtij viti bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”.

Pavarësisht kësaj, sukseset për këtë film duket se nuk kanë të ndalur.

Pas pjesëmarrjes në “Sydney Film Festival”, i njëjti po ashtu do të jetë në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato në Meksikë.

Këtë e ka bërë të ditur protagonistja kryesore e filmit, aktorja Yllka Gashi, përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.

“Zgjoi” nuk ka të ndalur!!!
Rrugëtimi i tij vazhdon në Meksikë në edicionin e 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato që mbahet nga 17 deri më 26 shtator në qytetet León, San Miguel de Allende & Irapuato.
“Zgjoi” është në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë!

“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj;

Filmi “Zgjoi” nga Blerta Basholli është propozuar ditë më parë nga Kosova si kandidat zyrtar për garën prestigjioze “Oscars”. / KultPlus.com

Të ngjajshme