Filmit “Nëntor i Ftohtë” i bëhet pritje e jashtëzakonshme në San Sebastian në Spanjë (VIDEO)

27 Shtator, 2018 - 9:05 pm

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” u dha sonte në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, shkruan KultPlus.

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A.

Pas prezantimit të filmit si duket publiku e ka pritur në mënyrë të mrekullueshme duke ju dhuruar duartrokitje të gjata. Për këtë pritje ka njoftuar drejtori i QKK-së Arben Zharku i cili ka shpërndarë disa fotografi dhe një video nga ky moment.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

Të ngjajshme