Filmi ‘’Galaktika e Andromedës’’ i More Raçës vazhdon rrugëtimin në Francë

19 Nëntor, 2020 - 8:22 pm

Filmi i metrazhit të gjatë ‘’Galaktika e Andromedës’’ nga regjisorja More Raça po vazhdon të ketë suksese të njëpasnjëshme. Kësaj radhe, ai do të shfaqet në Francë përkrah filmave evropian, shkruan KultPlus.

Festivali i filmit ‘’Les Arcs’’ do të shfaq filmin shqiptar në programin ‘Hauteur’.

Regjisorja More Raça për KultPlus është shprehur se ndjehet tejet e lumtur për këtë sukses të radhës të filmit të saj dhe se filmin e presin edhe të reja të tjera, të cilat do t’i bëj publike më vonë.

‘’Ky është një program shumë i veçantë i festivalit sepse shfaq dhjetë filma evropian dhe autorial që trajtojnë tema shumë të rëndësishme dhe provokojnë mendjen e audiencës’’, thekson Raça për programin në të cilin do të shfaqet filmi.

Tutje, ajo tregon se ‘’Galaktika e Andromedës’’ do të zë vend përkrah filmave të dëshmuar në kinematografitë e popujve të ndryshëm.

‘’Andromeda do të shfaqet bashkë me filma tjerë të shkëlqyer dhe që kanë pas rrugëtim të suksesshëm ne festivalet më prestigjioze’’, ka shtuar regjisorja e filmit.

‘’Galaktika e Andromedës’’ është dëshmuar nëpërmjet pjesëmarrjeve në Festivalin e Filmit në Sarajevë, Kajro dhe tanimë edhe në Francë. / KultPlus.com

Të ngjajshme