“Gardhi” garon për “Kalorësin e artë” në Dresden

13 Shkurt, 2019 - 9:33 am

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër në Dresden është stacioni i radhës i “Gardhit”.

Filmi nën regji të Lendita Zeqirajt është në garë zyrtare në edicionin e 31-të të këtij festivali. Do të jetë premierë gjermane. Suksesi i këtij filmi vjen edhe pas atij të shikueshmërisë në platformat online. Para pak ditësh “Gardhi” u lansua në platformën online “Vimeo”. Për vetëm 24 orë kishte mbledhur 52 mijë shikime, përderisa për dy javë numri i shikuesve ka tejkaluar çerekmilionëshin, shkruan Koha Ditore.

Në Dresden International Shortfilm Festival, që do të mbahet prej 9 deri më 14 prill, garon për “Golden Horsemen” (Kalorësin e artë) me 47 filma të tjerë, disa edhe të nominuar për “Oscar” – siç është rasti i filmit kanadez “Fauve” të Jeremy Comte – e fitues në festivalet e njohura si ai në Cannes, Berlin e Toronto.

Producenti i filmit, Bujar Kabashi, ka thënë se “Gardhi” gjendet në mesin e filmave më të suksesshëm të këtyre dy vjetëve.

Përfshirjen e “Gardhit” në konkurrencë zyrtare të Dresden International Shortfilm Festival, që është njëri nga tri festivalet më të mëdha të filmit në Gjermani, Zeqiraj e cilëson edhe si konfirmim të punës së saj.

Në fillim të këtij viti uebfaqja e njohur për film, “Close-Up Culture” e ka përfshirë filmin “Gardhi” në mesin e 30 filmave më të mirë të shkurtër të 2018-s.

Në film luajnë Art Lokaj, Adriana Matoshi, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Ilire Vinca, Rozafa Çelaj, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan e Norik Xhemajli. /KultPlus.com

Të ngjajshme