Gentian Koçi: Ishte njësoj si të fitonim çmimin e filmit më të mirë

22 Gusht, 2017 - 6:29 pm

……dritat janë fikur, titrat janë shfaqur por duartrokitjet e publikut të Sarajevës pas premierës së filmit “Dita zë fill” ende nuk janë zbehur. Aq më pak për regjisorin dhe protagonistët e këtij filmi i cili u prezantua për herë të parë në një festival prestigjioz si ai i Sarajevës.

Gentian Koçi, pas “Zemrës së Sarajevës” që shkoi për protagonistën Ornela Kapetani si aktorja më e mirë rrëfen se ky është një çmim për gjithë filmin dhe një prozhektor për kinemanë shqiptare. “Personazhi kryesor është vet filmi, unë kështu e kam parë gjithmonë që kur kam shkruajtur skenarin. Kam parë që në film është personazhi kryesor dhe do ndiqet personazhi kryesor me kameren time në 90% të filmit, por për ne ishte njësoj si të fitonte si “filmi më i mirë”. Jemi shumë të lumtur për Ornelën, ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Kur u mor çmimi “Aktori më i mirë” ishim të gjithë në gëzim shumë të madh” theksoi regjisori Gentian Koçi. Drita ka rënë mbi filmin shqiptar edhe pas takimit shumë të ngrohtë të ekipit të filmit me regjisorin e njohur Oliver Stone.

“Është një konfirmim që i bëhet kinemasë shqiptare në një festival të rendësishëm si ai i Sarajevës. Duhet të dimë që është jashtëzakonisht e vështirë që të depërtosh në festivale të kësaj rëndësie. Duke bërë premiera atje kemi marrë një vizibilitet ndërkombëtar dhe kemi marrë review shumë të mira nga revista shumë të njohura ndërkombëtare. Takimi me Oliver Stone ishte një surprizë e bukur. Shumë i interesuar për kinemanë në përgjithësi dhe më pas për kinemanë shqiptare në veçanti. Kishte një peng pse skishte ardhur asnjëherë në shqipëri”.

Filmi ka zgjuar vëmendjen e medias së specializuar të kinemasë me review në Cine Europa, Variety etj regjisori projekton shfaqjen e filmit për publikun shqiptar që do të bëhet nga gjysma e dytë e shtatorit. Filmi i cili rrëfen betejat edhe kompromiset e një nënë të re për të mbijetuar ka qënë një sfidë e vërtetë edhe për regjisorin.

“Nëse ka një gjë për të cilën unë nuk bëj kompromis është pikërisht puna që unë bëj, ai frame që unë stampoj. Nuk ka asnjë lloj kompromisi. Kemi patur vështirësi të mëdhaja për çështje produktive, sepse filmi ka patur buxhete të ulëta. Nuk e di e ndjeva të shkruaja për një femër. Nuk e di nuk mund ta them ekzakt pse unë shkruar për një femër”. Filmi pasi është kuotuar lart nga Festivali i Sarajevës tashmë koleksionon ftesat në festivale të rëndësishme të kategorisë A edhe pse ende është herët për ti publikuar emrat e festivaleve. Pra rrugëtimi i këtij filmi duket se është shënjuar në shenjën e suksesit. / RTSH / KultPlus.com

Të ngjajshme