Hacking Urban Space: Projekt bashkëpunimi mes DokuFes, Anibar dhe Termokiss

28 Shkurt, 2018 - 1:03 pm

DokuFest, Anibar dhe Termokiss i kanë bashkuar forcat që përmes projektit HACKING URBAN SPACE të sjellin një seri të jashtëzakonshme të filmave që përqendrohen kryesisht në sfidat e efikasitetit në strategjitë urbane, rritjen e popullsisë, transportin e ngulfatur, mjedisin dhe problemet e tjera të veçanta me të cilat ballafaqohen 3 qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtina, Prizreni dhe Peja.

Ky program u dedikohet studentëve të Universiteteve dhe nxënësve të Shkollave të Mesme të Larta të këtyre qyteteve të cilët në fund të çdo cikli do të kenë mundësinë të debatojnë për këto sfida me vendimmarrësit e qeverive përkatëse lokale si dhe planet e tyre në përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivistëve për një menaxhim më të mirë të hapësirave publike.

Cikli i parë i filmave fillon me 5 mars me shfaqjen e filmit CITIZEN JANE, një aktiviste që luftoj për t’i mbrojtur komunitetet urbane përballë projekteve destruktive zhvillimore në Nju Jork. Në përfundim të këtij cikli do të shfaqet filmi SKOPJE 2014 që është një vështrim vizual i ndërhyrjes së egër për të ndryshuar karakterin urban të qytetit nga ai modernist soc-realist në pothuajse ekskluzivisht stil të ri barok dhe neoklasik.

Programi i filmave do të përfshijë projektet filmike që do të nxisin debatin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në kohërat e urbanizimit të shpejtë përmes filmit ECUMENOPOLIS: CITY WITHOUT LIMITS, për të vazhduar me diskutimin për modernizimin e qyteteve përmes vendosjes së njerëzve në qendër të planifikimit zhvillimor të cilës do ti paraprijë shfaqja e filmit HUMAN SCALE.

2 ciklet e fundit do të sjellin filmat dokumentarë BIKES vs. CARS për të promovuar çiklizmin si mjet transporti ditor dhe për të diskutuar qeveritë lokale nuk kanë bërë aq shumë në krijimin e infrastrukturës urbane që i jep përparësi çiklizmit kundrejt makinës. Seria e diskutimeve dhe shfaqjeve do të përmbyllet me shfaqjen e filmit BOGOTA CHANGE, që do të sjellë rrëfimin për kryetarin e Bogotës i cili përmes metodave të pazakonta të qeverisjes i mësoi qytetarët të jetojnë së bashku dhe të marrin përgjegjësi.

Filmat do të shfaqen në kinematë “DokuKino” në Prizren, “Jusuf Gërvalla” në Pejë përderisa lokacioni në Prishtinë do të kumtohet së shpejti.

Ky projekt implementohet nga DokuFest në partneritet me Anibar dhe Termokis dhe është përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme