‘Hashtag’ pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Kujdesin për Fëmijët

26 Maj, 2022 - 10:05 pm

Filmi i shkurtër ”Hashtag”, me skenar nga Brikena Sopi dhe me regji të Lorena Sopit, është përzgjedhur për të qenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Kujdesin për Fëmijët, i cili do të mbahet në Paris nga data 26 qershor deri më 2 korrik 2022.

Përmbledhje e shkurtër e filmit:

Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë dhomën e ndenjes së bashku. Ata janë të lidhur me rrjetet sociale dhe pjesën më të madhe të kohës e kalojnë të lidhur me një celular. Zana bën edhe fotosesione të veçanta për të krijuar jetën virtuale që kërkon me dëshpërim. Edhe njerëzit me të cilët ajo është e lidhur dhe që ajo beson se janë të rëndësishëm, të pasur dhe të suksesshëm, në realitet janë gjithashtu njerëz fiktive dhe inekzistente.

Madje Zana organizon seanca mësimore se si të krijoni një imazh virtual të një personi. Ajo e nënshtron Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina është në dilemë. Ndonëse mundohet ta ndjekë Zanën, ajo mundohet të mësojë dhe të marrë njohuri edhe në fushën e shkencës që studion. Kur fantazitë e Zanës për jetën virtuale dhe rrjetet sociale i kalojnë kufijtë, Tina e kundërshton duke i lënë të kuptojë se është aty për të mësuar dhe për t’u bërë dikush me dije. Ajo e paralajmëron Zanën se me mënyrën e të menduarit nuk do të mund të vazhdojnë dot bashkë.

Hendeku mes dy miqve thellohet edhe më shumë kur Tina bie nga provimi dhe kërcënon Zanën se rrugët e tyre përfundimisht do të ndahen. Zana vazhdon të krijojë personalitetin e saj të rremë dhe të ëndërrojë që jeta e saj virtuale një ditë të bëhet realitet. Madje ajo bën një lidhje serioze me një person të tillë imagjinar. Por kur takon ‘personin e ëndrrave’ zhgënjehet pasi kupton që ai person është një plak të cilin e ka punësuar si fotograf për fotosesionet e saj. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe vendos të kthejë jetën e saj. Ajo vazhdon të pikturojë autoportretin e saj që mbeti i papërfunduar.

Personazhet kryesore që luajnë në film janë:  Vjosa Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme