“Histori maje kulmi” nisi dekadën e parë të PriFest-it

18 Korrik, 2018 - 3:08 pm

Alberina Haxhijaj

“Histori maje kulmi”, me regji të Gazmend Nelës, ka qenë filmi i cili ka shënuar hapjen e edicionit të 10-të të PriFilm Fest. Sot, siç e do edhe tradita e këtij festivali është mbajtur edhe konferenca për media për të mësuar më shumë rreth filmit nga regjisori Gazmend Nela, skenaristi Arian Krasniqi si dhe aktori Xhevdet Doda.

Fatos Berisha nga PriFilm Fest u shpreh i lumtur që ky film ka bërë hapjen e edicionit të 10-të për faktin se është një film vendor dhe pikërisht ky edicion është i veçantë pasi që 11 filma nga Kosova do të jenë pjesë e tij.

Rooftop Story Trailer

Rooftop Story Trailer

Gepostet von Rooftop Story am Mittwoch, 18. Oktober 2017

Filmi mbrëmë ka pasur premierën në Kosovë pas premierës në Kanada në Festivalin e Filmit “Montreal World Film Festival”, ndërsa në PriFilm Fest ai është në garë në kategorinë e filmave ballkanik.

Për regjisorin Gazmend Nela rikthimi në PriFilm Fest pas 10 viteve është shumë i rëndësishëm për të. Kujtojmë se ai kishte marrë pjesë në këtë festival në edicionin e parë të festivalit.

“Pas 10 vite jam rikthyer përsëri në PriFilm Fest. Filmi është xhiruar në Prishtinë në qytetin ku kam lind e jam rritë. Në Kanadë ka pasur emocione mirëpo këtu ka qenë krejtësisht ndryshe pasi që emocionet ishin shumë më të forta”, u shpreh regjisori.
E veçantë e këtij filmi është se ai është bardh e zi. Diçka e cila sipas regjisorit është bërë në mënyrë që të largohet nga ngjyrat, nga realiteti, në mënyrë që filmi të mos krijojë përshtypjen e dokumentarit.

Konceptualisht filmi i ka dy veçanti sipas skenaristit Arian Krasniqi. 98% e filmi është xhiruar në ambient të hapur ku qyteti i Prishtinës ka shërbyer si skenografi e filmit. Pastaj, për më shumë se 1 orë sa zgjatë edhe filmi, paraqitet e gjithë ngjarja që ndodh brenda një ditë.

“Filmi është xhiruar për 30 ditë për të krijuar përshtypjen se ngjarja po ndodh brenda një dite”, theksoi skenaristi.

Ai u shpreh se së bashku me regjisorin mund të konsiderohen bashkautorë në skenar pasi që janë bashkuar rreth idesë për të treguar sipas tij një histori jo të zakonshme të Prishtinës në një rrëfim kinematografik.

“Ndjenja që ta jep vizaulizimi, momenti kur ti punën tënde në letër e sheh në ekran të madh është një ndjenë e papërshkrueshme. Kjo është magji e ekranit, magjia e filmit që të bënë të ndihesh i veçantë”, u shpreh skenaristi.

Filmi është një dramë psikologjike dhe flet për një profesor i cili e humb familjen e tij dhe në luftën për mbijetesë shndërrohet në një të pastrehë . Ai takohet pastaj me një vajzë e cila po ashtu e ka humbur fëmijën çfarë mund të konsiderohet edhe fillimi i dramës.

Aktor Xhevdet Doda, u shpreh shumë i lumtur që ka qenë pjesë e ekipit të filmit.

“E mira e këtij roli ka qenë që së bashku me regjisorin kam punuar gjatë gjithë kohës dhe kam pasur kohë të mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë rol. E kam ditur se çfarë kam dashur dhe kam vendosur disa pikë mbi të cilat kam dashur që ta ndërtoj rolin të cilat janë përkrahë edhe nga regjisori”, u shpreh aktori Doda.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Xhevdet Doda, Mona Mustafa, Art Lokaj, Ismet Azemi, Sylejman Lokaj, Safete Rugova, Florist Bajgora, Ermal Gerdovci, Defrim Salihu, Selatin Ademi e të tjerë. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Rooftop Story” u shfaqë mbrëmë në dy lokacione: tek Teatri Kombëtar i Kosovës dhe tek platoja në Sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet, njëlloj siç do të ndodhë edhe me filmat e tjerë.

Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest. / KultPlus.com

Të ngjajshme