Hollywood jep lamtumirën Luke Perry-t: Je një shpirt i fuqishëm, që ke lënë shenjë

6 Mars, 2019 - 10:00 am

Pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur të Beverly Hills, kolegët e tij shprehin mesazhet e tyre të lamtumirës. Ata e vlerësojnë si një njeri me personalitet e ndjeshmëri të lartë dhe profesionist si rrallëkush

Anila Dedaj

Kanë qenë të shumtë mesazhet për Luke Perry, Dylan McKay të “Beverly Hills 90210” të ndarë dje nga jeta, por njëri në veçanti përmbledh më mirë atë që ishte personaliteti i Luke, që kushdo që e ka njohur mund të thotë se ishte me të vërtetë një njeri i mirë. Colin Hanks, i biri i Tom, edhe ai aktor, ka treguar një anektodë shumë të veçantë në profilin e tij në Instagram. Bëhet fjalë për një eksperiencë të drejtpërdrejtë të pasur gjatë një udhëtimi me të në të njëjtin avion. “Hanks dhe bashkëshortja e tij ishin në një avion duke u kthyer nga Meksiko, kur dy fëmijë, dy vëllezër nisën të qanin: “Nga vendet e klasit të parë vjen ky burrë i gjatë, me mjekër dhe kapele – ka shkruar në statusin e tij – mori dy tullumbace, i fryu dhe u ul në gjunjë përpara fëmijëve dhe ua dha. Ato ndaluan menjëherë së qari, dhe i gjithë avioni e duartrokiti këtë gjest. Pasi e vëzhgova mirë, vura re se bëhej fjalë për Luke Perry – kujton Colin Hanks – kështu iu afrova dhe patëm mundësi të flisnim. Më rrëfeu se të mbaje me vete dy tullumbace është një truk që përdor gjithmonë kur udhëton, pikërisht për të qetësuar fëmijët që bërtasin”. Një episod ky që tregon shumë për Luke Perry të ndarë nga jeta në moshën 52-vjeçare e që do t’u mungojë shumë fansave të tij rreth e përqark botës.

Ian Ziering: Shpresoj që Zoti të të rezervojë një vend afër tij, pasi ti e meriton!

Pas ndarjes nga jeta të aktorit simbol të viteve ’90, CNN ka përcjellë disa nga reagimet e kolegëve të tij. Ndër përshëndetjet e para ishte ajo e Ian Ziering, apo të Steve Sanders të Beverly Hills, që përmes rrjeteve sociale ka publikuar një fotografi ku janë së bashku të shoqëruar me një mesazh prekës: “I dashur Luke, do të mbaj të skalitur në kujtimet e bukura që kemi ndarë bashkë gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Uroj që rrugëtimi yt të jetë i pasur me shpirtra të jashtëzakonshëm të atyre që janë larguar para teje, ashtu siç ke bërë ti me ne që kemi mbetur pas. Shpresoj që Zoti të të rezervojë një vend afër tij, pasi ti e meriton”.

Shannen Doherty: Zemra ime është thyer!

“Jam e shokuar, më është thyer zemra. Jam e dërrmuar për humbjen e mikut tim”, është shprehur për “People” Shannen Doherty, e cila ishte një nga të parat që përshëndeti Luke me një mesazh sapo u përhap lajmi. “Kam kaq shumë kujtime nga Luke që më bëjnë të buzëqesh, dhe që kanë mbërthyer zemrën dhe mendjen time”.  Mandej, kolegia kujton, se i kishte qëndruar shumë pranë gjatë diagnostikimit me kancer. “Luke ishte një njeri shumë inteligjent, i heshtur, fisnik dhe kompleks, me një zemër të artë dhe me një integritet dhe dashuri të pafundme”, vijon aktorja, duke treguar se lidhja me të me kohën ishte forcuar edhe më. Një miqësi e lindur në shesh të xhirimeve, që kur kanë qenë të rinj, e që nuk do të përfundojë kurrë, ashtu siç ka ndodhur edhe me kolegët e tjerë në kast. Ndër të tjera, Luke ua kishte thënë menjëherë edhe aktorëve të “Riverdale”, ashtu siç ka nënvizuar produksioni i serialit nëpërmjet rrjeteve sociale pas lajmit të ndarjes nga jeta të aktorit: “Personazhet tuaja do t’ju shoqërojnë përgjithmonë, ashtu si edhe miqësitë”.

Leonardo DiCaprio: Ishte nder për mua të punoja me Luke Perry-n!

Ndër të tjerë miq që patën mundësi ta njihnin e të punonin me të është edhe aktorja amerikane Gabrielle Carteris, e cila ka ndarë kujtimin e saj në Twitter: “I dashur Luke, jam e dërrmuar dhe pa fjalë. Ti, miku im, je një shpirt i fuqishëm dhe ke lënë shenjë”.

Aktori kanadez Jason Priestley ka shkruar “faleminderit” dhe ka shpërndarë një “tweet” të gazetarit të Entertainment Tonight Canada” Roz Ëeston me një intervistë të 2013-ës duke komentuar: “Luke do të mbetet përgjithmonë tipi më simpatik, i sjellshëm dhe tërheqës që unë kam njohur”.

Mandej ngushëllimin e tij e ka dhënë edhe Leonardo DiCaprio, me të cilin Perry ka recituar në “Once Upon a Time in Hollywood,  filmi i ri i Quentin Tarantino, që do të jetë i fundit që do të shohim nga aktori: “Luke Perry ka qenë një artist tepër i sjellshëm dhe me një talent të pabesueshëm. Ka qenë një nder për mua të punoja me të”.

“Riverdale” ndalon xhirimet pas ndarjes nga jeta të Luke

Në ndër të aktorit Luke Perry “Reverdale” ka ndalur xhirimet. Në këtë serial aktori ishte Fred Andrews,babai i një nga personazheve kryesorë Archie Andrews të interpretuar nga KJ Apa. Produksioni ka vendosur që të ndalë xhirimet për një ditë, kështu që i gjithë kasti të kishte mundësi të kujtojë ashtu siç e meriton kolegun si dhe të kishte një moment reflektimi.  “Jemi shumë të shokuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të Luke Perry-t – ka shkruar produksioni i “”Riverdale”, një anëtar i dashur i seralit që kishte gjithçka që duhet të ketë një njeri i mirë: i ndjeshëm në mënyrë të pabesueshme, një profesionist i madh me një zemër gjigante, një mik i vërtetë për të gjithë. Një figurë prindërore dhe një mentor për pjesën më të re të kastit. Luke ishte bujar dhe shpërndante dashuri dhe sjellje të mirë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme