Homazhe për kineastin Kristaq Dhamo në Universitetin e Arteve

19 Gusht, 2022 - 3:17 pm

Regjisorit Kristaq Dhamo i është dhënë lamtumira me homazhet e kryera sot në hollin e Universitetit të Arteve.

“Lamtumirë Kristaq Dhamo! Vepra e tij do të mbetet gjithmonë me ne”, shkruan ministrja e Kulturës, Margariti, në postimin e saj në rrjetet sociale.

Ministrja e Kulturës, artistë e artdashës, kanë qenë të pranishëm në hollin e Universitetit të Arteve për t’i bërë regjisorit, nderimet e fundit.

“E lehtësuar që mundëm të plotësonim amanetin e tij për t’u prehur në Shqipëri e t’i shprehnim mirënjohjen për kontributin shumëvjeçar në kinematografinë e pedagogjinë shqiptare”, u shpreh Margariti.

Kristaq Dhamo ishte regjisori që sfidoi kohën, që guxoi i pari të lundronte në botën e madhe të filmit artistik me metrazh të gjatë, pedagog i brezave të tërë kineastësh, të cilët do të përcjellin këshillat e tij edhe tek më të rinjtë.

Kristaq Dhamo u nda nga jeta më 14 gusht 2022, në moshën 89-vjeçare. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme