“Honeyland” për jetën në izolim të bletares në Maqedoni

11 Gusht, 2019 - 6:40 pm

Filmi dokumentar “Honeyland”, për një bletare në pjesën rurale të Maqedonisë, ekzistenca e së cilës rrezikohet nga veprimet e fqinjëve të porsaardhur, ka shumë tipare të një filmi artistik dramatik.

Narracioni i tij shpërfaq tensione dhe konflikte të jashtëzakonshme, me një qartësi dhe koherencë tejet të madhe. Në të njëjtën kohë, fuqia dramatike e filmit bën që ai të mos i ngjasojë dokumentarit.

Duket sikur filmbërësit Tamara Kotevska dhe Lubomir Stefanov e kishin vërejtur fuqinë e temës që e trajtonin dhe më pas, gjatë xhirimeve apo editimit të pamjeve filmike (më shumë se katërqind orë xhirime, të reduktuara në një film tetëdhjetë e shtatë minutash) ia kishin dhënë atij formën e një drame filmike. Rezultat i kësaj është një film sa rrëqethës, aq edhe zhgënjyes, një jofiksion në të cilin apostrofimi i shumë elementeve faktike, në interesin e dramaturgjisë kompakte, bën që një rrëfim i jashtëzakonshëm, i vërtetë, të duket i trilluar.

Një grua që bart një barrë në shpinë shihet në fillim të filmit, prej larg, duke ecur e vetme në një fushë të izoluar, përgjatë shtegut të hapur nëpër barin e thatë. Pastaj kjo pamje na shfaqet nëpër kënde të ndryshme. Ajo mbërrin tek një shkëmb i rrëpirët, duke u ngjitur përmes një shtegu të ngushtë, e përcjellë nga kameramani. Teksa po e shikoja këtë grua duke iu afruar shkëmbinjve, e zura veten duke e pyetur se çfarë mendonte ajo për filmbërësit, që po e përcillnin nëpër këtë mision të jashtëzakonshëm – se si e kishin organizuar xhirimin dhe çfarë ndikimi kishte prania e filmbërësve në punën dhe idetë e saja. /Koha Ditore /KultPlus.com

Të ngjajshme