Ikona e shahut, Nona Gaprindashvili padit Netflixin për portretizimin e gabuar në ‘The Queen’s Gambit’

18 Shtator, 2021 - 10:28 am

Ikona gjeorgjiane e shahut, Nona Gaprindashvili, ka ngritur një padi për shpifje kundër Netflix duke i kërkuar pesë milionë dollarë dëmshpërblim me pretendimin se është portretizuar gabimisht në hit-serialin, “The Queen’s Gambit”, transmeton KultPlus.

Padia i referohet një sekuence në episodin përfundimtar të dramës e cila thotë se Gaprindashvili, tani 80 vjeçe, nuk kishte garuar kurrë kundër burrave.

Dokumenti thotë se deri në vitin 1968, viti në të cilin është vendosur episodi, ajo ishte përballur me të paktën 59 lojtarë meshkuj.

Netflix tha se pretendimi nuk kishte ‘asnjë meritë’.

Kompania tha se kishte ‘vetëm respektin më të madh’ për Gaprindashvili dhe ‘karrierën e saj të shquar’, por se ‘do ta mbronte me forcë rastin’, transmeton tutje KultPlus.

“The Queen’s Gambit” është i bazuar në romanin e vitit 1983 nga Walter Tevis dhe fokusohet në një shahiste imagjinare të quajtur Beth Harmon, të luajtur nga Anya Taylor-Joy. Seriali u publikua vitin e kaluar, duke u bërë ajo që Netflix e përshkroi si ‘seriali i kufizuar me shikueshmërinë më të madhe ndonjëherë”.

Në episodin e fundit, ajo luan kundër një shahisti rus të quajtur Viktor Laev, në Moskë. Në këtë skenë, prezantuesi thotë: “E vetmja gjë e pazakontë te ajo është gjinia, madje edhe kjo nuk është unike në Rusi. Kemi Nona Gaprindashvilin, ajo është kampione e botës për femra dhe nuk është ndeshur kurrë me burra”.

Nona thekson në padi se ngjarjet në atë episod zhvillohen në vitin 1968. Deri në atë vit, ajo ishte ndeshur me 59 meshkuj, duke mundur 28 prej tyre në një simultane shahu. Në padi pretendohet se historia e serialit është një version i përshtatur i jetës së Gaprindashvilit.

Lidhur me këtë, Netflix nga ana tjetër e ka hedhur poshtë, duke thënë se nuk ka asnjë bazë.

“The Queen’s Gambit” është shikuar në më shumë se 62 milionë familje në 28 ditët e para pas publikimit, sipas Netflix. Ajo fitoi dy çmime në “Golden Globes” të këtij viti dhe ka fituar 18 nominime në “Emmys Awards”, të cilat do të mbahen këtë fundjavë. / KultPlus.com

Të ngjajshme