Ilire Vinca, gruaja që braktisi mjekësinë për aktrimin

27 Shkurt, 2019 - 10:48 pm

Gili Hoxhaj

Ilire Vinca erdhi sonte në KultWoman për të ecur nëpër kujtimet e jetës së saj.

Me publikun, ajo ndau shumëçka nga jeta e saj, që nga rrethi i saj familjar e deri tek rolet e saj të shumta në teatër e film. Krejt kjo erdhi në kuadër të ngjarjes së pestë “KultWoman me…”, e organizuar nga gazeta e parë online për kulturë, KultPlus.

Ilire Vinca, e cila jo rrallë herë është aktorja më e mirë e festivaleve ku është e pranishme, u ka dhënë shpirt roleve të saja filmike, ndërsa shfaqjet në të cilat ajo aktron gjithmonë janë të suksesshme. Vinca ka luajtur mes tjerash në ‘Falja e Gjakut’, ‘Martesa’, ‘Gardhi’, ‘Shtriga’, e së fundmi edhe në shfaqjen ‘Karnavalet e Korçës’, ndërsa publiku nga Tirana së fundmi e ka parë edhe në shfaqjen “Natën ma”.

Ilire Vinca, e lindur në Strugë, vetëm pak nga fëmijëria e saj e kishte kaluar atje, prej nga thotë se janë larguar për arsye politike. Shkollimin e ka përfunduar më pas në Prishtinë, ndërsa për aktrim thotë se dëshirën e ka pasur shumë më të hershme, para se të jetë e bindur se çfarë do të zgjedhë si profesion. Skenën e parë e kishte parë në një kënd në shtëpi, ku perdet e kuzhinës ia zëvendësonin perdet e teatrit.

“Mbase një ndikim i madh ka qenë babi im si prind dhe familjarët e tjerë, babai, halla të gjithë janë marrë me shkrime dhe meqë kemi jetuar gjithë familja me një rrogë nuk kemi pasur lluks që të shëtisim diku tjetër por në mënyrë shumë të bukur kanë ditur prindërit e mi që të na krijojnë një hapësirë, një teatër, pra një jetë kulturore brenda. Të gjithë ndoshta i kujtoni ato që e quanim kuzhina të vogla me disa perde që kanë qenë dhe ajo ka qenë skena ime si fëmijë”, tregoi sonte Ilire Vinca, e cila tha se ka qenë fat për të që dega e Arteve Dramatike- Aktrimi është hapur në vitin 1989 si drejtim, kur ajo e kishte përfunduar maturën.

Përkundër shumë dilemave, ajo kishte qenë e përcaktuar se do të studionte diçka me art, por për t’iu përshtatur dëshirave të dy prindërve, ajo kishte regjistruar dy fakultete paralelisht derisa rrethanat në të cilat zhvillohej mësimi, e bënë që ajo të përcaktohej për aktrim. Këtë rrugë e kishte marrë duke qenë e bindur se duke e ushtruar një profesion që paragjykohet, ajo do të mund t’i kontribuonte zhdukjes së këtij paragjykimi.

“Trysnia e mentalitetit, duke e futur pak edhe nanën time që donte për vajzën e saj një profesion edhe më të denjë se aktorja, u detyrova me e regjistru edhe mjekësinë për t’i kënaqur të dy prindërit dhe e shtyva deri në vit të tretë, në kohën kur prakitikisht mësonim në shtëpi-shkolla dhe ishte e vështirë, u desht që ta marr vendimin tim, reflektova dhe isha e pjekur mjaft për të reflektuar dhe vendosa të jem në një numër më të vogël të aktorëve se sa një tjetër doktoreshë në një profesion me shumë njerëz”, tha ndër të tjera Ilire Vinca.

Arbër Selmani dhe Ilire Vinca

Ajo e përshkroi edhe kohën e viteve të 90-a kur me profesorin Faruk Begolli shkonin në të gjitha fshatrat e Kosovës, atëherë kur njerëzit veçse e kishin humbur shpresën për ditë më të mira.

“Ne kemi udhëtuar dhe u kemi kthyer buzëqeshjen në salla edhe atëherë kur aty kanë qenë dy vetë”.

Ajo thotë se edhe projektet më të vogla i cilëson si të suksesshme, ajo thotë se është sukses nëse e fiton një rol tek një regjisor i njohur dhe pastaj vazhdon në Berlin, por thotë se sukses më i madh për të është që të zhvillohen provat në “Dodonë” me zë të ulët në kohën e orës policore, përcjellur me frikën se dikush mund tu trokas në derë.

“Dhe kështu kur vjen koha me e shfaqë shfaqjen, me e shfaqë atë dhe rrugës me i kriju edhe disa tregime të tjera nëse na ndalë policia”, u shpreh Vinca sonte në “KultWoman”.

Ajo tha se secili prej roleve të saj e ka shkëlqimin dhe vulën e veçantë ndërsa veçoi rolin e tij të parë – “Profesor, jam talent se jam mahi”, prej të cilit thotë se ka marrë më shumë se sa që ka dhënë. Po ashtu veçoi edhe rolin e saj në “Falja e Gjakut”, “Burrneshat” dhe shfaqjen “Doruntina”.

Ilire Vinca fillimisht kishte refuzuar rolin e asistentes

Ilire Vinca aktualisht është edhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ajo kishte përfunduar studimet në klasën e Faruk Begollit, ku i ishte ofruar roli i asistentes. Ajo thotë se e kishte refuzuar. Kishte qenë profesori Begolli, ai që kishte këmbëngulur fort që ajo duhet ta marrë përsipër këtë detyrë.

“Si vajza e një profesori që ka eduku shumë gjenerata, unë mendoja se nuk është një profesion që çdokush mundet me e bo. Unë kam qenë ai gjithkushi për veten time. Më është dukur aq e shenjtë dhe me përgjegjësi të madhe dhe e refuzova detyrën si asistente. Kaluan disa vite dhe profesori Begolli nuk hoqi dorë dhe unë, vetëm fillova më i ndihmu pak në mësimet e tij dhe ai më tha “ti mundesh më e bo këtë punë shumë mirë sepse të kam përcjellur msheft”. Pra ka qenë në sallën në “Dodonë” dhe më tha ndihmoji pak studentëve në një detyrë dhe ai kishte qenë i fshehur diku në sallë dhe më tha “Ti duhet ta bësh këtë punë sepse di ta bësh shumë mirë”, tregoi Vinca.  

Ilirja thotë se për ta ushtruar këtë profesion, nuk i ka mjaftuar vetëm eksperienca prej aktoreje por thotë se ka hulumtuar mjaft shumë dhe ka bërë vizita në universitetet tjera e ka kontaktuar disa profesorë. Ajo thotë se gjatë gjithë kohës mundohet të jetë në hap me kohën dhe gjeneratën e re, të cilën thotë se duhet ditur që ta dëgjosh.

“Njeriu kurrë nuk mund të jetë i kënaqur me veten, nuk mund t’i them vetes se jam e kënaqur se cfarë profesoreshe jam por po zhvillohem ende”, thotë mes të qeshurave Vinca.

Ilire Vinca: Punën që e bën është terapia më e mirë

Për Ilire Vincën është e rëndësishme ta kesh një vizion në jetë dhe të investosh në veten tënde dhe kjo bën që të gjitha vështirësitë të jenë më lehtë të tejkalueshme.

Për Ilire Vincën puna është terapia më e mirë, e investimi tek vetja bën që kur përballesh me vështirësitë, ato nuk të nxjerrin jashtë kontrollit. Ilire Vinca shpesh është bërë cak i mediave për jetën e saj personale, por thotë se megjithatë është falënderuese që mediat e kanë kursyer pak më shumë rastin e saj.

“Sot fusin në thes ata që dojnë spektaklin dhe ata që nuk e duan, ata që bëjnë treg me personalen dhe ata që nuk bëjnë. Unë gjatë gjithë jetës jam munduar që ta ruaj jetën personale si timen dhe natyrisht, pse duhet të jetë ushqim për njerëzit diçka që është  e jotja”, theksoi Vinca.

Mes filmit dhe shfaqjes, ajo nuk gjen përcaktim pasi thotë se të dyja kanë bukurinë e vet

“Të dyja kanë hapësirën e mrekullueshme për me kriju. Kanë ndjesi të ndryshme po secila në atë ndryshueshmërinë e ka bukurinë e vet”, thotë Vinca.

Megjithatë Vinca përshkroi se si i përjeton këto eksperienca. Ajo veçmas tregoi për qetësinë që e përmbushë në fund të shfaqjes, aty ku thotë se është momenti për t’u përshëndetur denjësisht me rolin e shfaqjes.

“Në film, kamera të afrohet ty dhe ti nuk ke nevojë që me lojën tënde të shkosh shumë afër publikut, ndërsa në teatër publiku është më larg dhe janë disa teknika që përdoren për teatër dhe për film e që dallojnë. Rituali për me u fut në rol në teatër, momentin kur mbyllen dritat aty praktikisht vdes jeta e personazhit dhe gjithkush vrapon në jetën e vet, e unë e dëshiroj atë qetësinë time në fund, ku jam vetëm unë dhe personazhi dhe ngadalë duke i hequr kostumet mbes vetë në gardërobë, më pëlqen ajo qetësi, më duket sikur duhet të përshëndetemi denjësisht me rolin”, tregoi aktorja Vinca.

Vinca: Nuk kam bërë një jetë ndryshe prej grave të tjera

Ilire Vinca përkundër se vazhdimisht ka ndjekur karrierën e saj, thotë se jeta e saj nuk dallon prej grave të tjera shqiptare. Ajo thotë se akoma ka problem të thotë “jo” për gjërat që nuk i përshtaten. Megjithatë, shpesh është përpjekur shumë për t’iu përshtatur imazhit të një gruaje të respektuar në shoqëri, ajo thotë se përkundër sakrificave rolin e gruas e ka luajtur ashtu siç është pritur prej saj pasi që kështu ka dashur t’i zhdukë paragjykimet për aktoret.

“Nuk kam bërë një jetë ndryshe prej grave të tjera. Unë kam qenë ajo nusja e shpisë me tabak, me prindërit e burrit, me mysafirë shumë. Të gjitha ritualet/zakonet që i bën çdo grua i kam bërë edhe unë madje edhe ato që nuk i kam ditë, nuk kam thënë “nuk i di” (nuk kam qenë e mençur me thonë nuk i di por e kam gjetur mënyrën për me i msu për me mujtë me e dëshmu veten nga pritshmëritë që dosido ekzistojnë, nuk jemi krejt të forta më e pasë vetëdijen më i luftu prej fillimit duke e dit që është mirë më thanë “jo”. Balanci im ka qenë ana tjetër se nuk kam hequr dorë prej karrierës”, tha në rrëfimin e saj Ilire Vinca.

‘KultWoman me…’ është projekt i financuar nga programi ‘Culture for Change’ i Bashkimit Evropian, i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti dhe Ilire Vinca

Të ngjajshme