Industria e Filmit nga Izraeli, fokus në edicionin e sivjetmë të PriFest

8 Shtator, 2023 - 12:30 pm

PriFest po i numëron ditët deri në hapjen e edicionit të 15-të, e që për këtë edicion tashmë janë prezantuar disa nga kategoritë e prezantimit, shkruan KultPlus.

Në këtë vit, Industria e Filmit të Izraelit do të jetë në fokus të PriFest, për të cilën kanë njoftuar edhe organizatorët. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e këtij festivali.

Focus: Israel

Jemi të lumtur të ju njoftojmë që sivjet Focus Programi tradicional i PriFest do të përqendrohet te industria filmike e shtetit të Izraelit.

Me mbështetjen e Ambasadës së Izraelit në Kosovë, në PriFest do të vijnë kineastë dhe organizatorë të festivaleve nga Izraeli, për t’i prezantuar filmat dhe projektet e tyre, si dhe për të marr pjesë ne platformën rajonale të industrisë së filmit PriForum.

4 projekte izraelite do të garojnë në Best Pitch, ndërsa do të shfaqen 1 Premierë Botërore, 1 Premierë Ndërkombëtare dhe 1 Premierë Kosovare si pjesë e programit Focus: Israel. Tri filmat që do të shfaqen janë:

Karaoke nga Moshe Rosenthal, Izrael / Premierë Kosovare (103 min)

Meir dhe Tova (60) jetojnë një jetë të klasës së mesme në periferi të një qyteti të qetë, të rrënuar nga një ndjenjë e pashprehur e zhgënjimit dhe keqardhjes. Kur Itsik Marziano (55), i cili më parë punonte si agjent i modeleve në Miami, vjen për të banuar në ndërtesën e tyre, epshi i tyre për jetën rindezet. Çifti magjepset nga beqari ndërkombëtar mendje-hapur, i cili nuk u nënshtrohet pritshmërive sociale. Meir përpiqet të ndryshojë pamjen e tij, në përpjekje për t’u shndërruar në një njeri modern, ndërsa Tova përpiqet ta kthejë Itsikun në mikun e tyre më të mirë. Por shumë shpejt, ata obsesionohen me Itsikun dhe shtyhen me fqinjët e tyre për pëlqimin e tij. Në përpjekjen e tyre për ta bërë atë për vete, e gjithë ekzistenca e tyre iu kthehet mbrapsht.

Bound nga Yotam Nissim Sas, Izrael / Premierë Ndërkombëtare (15 min)

Në periferi të Jerusalemit, një grup fëmijësh përfshihen në një luftë që del jashtë kontrollit drejt pasojave katastrofike. “Bound” paraqet mënyrën se si dhuna e formëson hierarkinë, por shpëtimi vjen vetëm me sakrificë e dhembshuri.

Revived nga Uriya Hertz, Izrael / Premiere Botërore (17 min)

Një natë në një gej bar në Jerusalem, Aaroni e humb çantën e tij. Në pamundësi për t’u kthyer në shtëpi pa të, ai merr ndihmë nga Sefi, banakieri. Fatet e të dyve do të lidhen sonte.

Së fundmi, Kosova dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje bilaterale për koproduksion të filmave. PriFest do ta organizojë një diskutim me panel gjatë festivalit për ta prezantuar këtë traktat dhe për të eksploruar mundësi të reja për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet industrive filmike të dy shteteve.

Shkëlqesia e Saj Tamar Ziv, Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, shprehi kënaqësinë e saj për praninë e madhe të kineastëve izraelitë në edicionin e 15 të PriFest, që do të mbahet gjatë përvjetorit të 75-të të Pavarësisë së Izraelit dhe përvjetorit të tretë të njohjes së Kosovës nga Izraeli. “Me marrëveshjen në fushën e koproduksionit kinematografik, unë besoj që bashkëpunimi jonë vetëm do të thellohet. Dua ta falenderoj PriFest-in dhe Drejtorin Fatos Berisha që e kanë vënë në fokus Izraelin sivjet, si dhe që i kanë ftuar 12 kineastë dhe organizatorë të festivaleve nga Izraeli për të marr pjesë në këtë festival të rëndësishëm. Jam e bindur që vitin tjetër do të shohim një rritje të numrit të koproduksioneve ndërmjet Izraelit dhe Kosovës”, tha Ambasadorja Ziv.

Drejtori i PriFest, Fatos Berisha, tha se e pret me ëndje Programin Focus të këtij edicioni: “Kënaqësi e madhe është për neve që po e presim një delegacion të madh të kineastëve nga Izraeli. Dua ta falenderoj znj Ambasadore Tammy Ziv për mbështetjen e saj. Ne në PriFest besojmë se ky është fillimi i miqësive dhe bashkëpunimeve të reja ndërmjet kineastëve të dy shteteve”.

PriFest do ta mbajë edicionin e 15 nga 12-17 shtator në Kino Armata, Prishtinë.

#Israel75 #prifest #forher #vjosaforever/ KultPlus.com

Të ngjajshme