Interesim i madh për filmin “Luaneshat e Kodrës”, 15-të termine brenda një dite

10 Maj, 2022 - 3:23 pm

Filmi “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit ka shënuar sukses të madh në festivale të rëndësishme nëpër botë, e së fundi do të prezantohet edhe në Cineplexx Kosova, ku do të jetë në repertor të rregullt të kinemasë, shkruan KultPlus.

Cineplexx Kosova ka njoftuar se për datën 12 maj ky film do të shfaqet në 15-të termine, pasi që interesimi për këtë film është i jashtëzakonshëm.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit.

Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme