займ на карту онлайн потребительский кредит

Isa Qosja: Në kohën e Jugosllavisë entuziazmi i njerëzve për të bërë film ka qenë i jashtëzakonshëm

5 Dhjetor, 2019 - 9:55 am

Qendrim Badalli

“Kultura është në margjina”, tha regjisori veteran, Isa Qosja, teksa po bënte një krahasim në rrafshin kohor, pasi kishte përfunduar shfaqja e filmit “Rojet e mjegullës” dhe kishte filluar një debat rreth tij nën organizimin e ForumZFD në Qendrën Multimedia mbrëmë në Prishtinë, shkruan KultPlus.com

Dritat u fikën dhe të pranishmit njëzëri vendosën për heshtje. Melodia, imazhi, simbolet dhe mungesa e tekstit po mbizotëronin në fillim të filmit. Një brum i mjaftueshëm dhe i nevojshëm për ta bërë edhe më interesant një debat mbi tematikën dhe teknikën e filmit, film që nuk po barte çdo gjë në mënyrë të drejtpërdrejt, debati për të cilin do të pasonte më vonë me teoricienin Sezgin Boynik dhe regjisorin Isa Qosja.

Një grua që dhunohej, një i torturuar që nuk e dinte se çfarë po nënshkruante, shkrimtar të internuar në burgje, atmosferë e zymtë, kushte të rënda, frymë e sakrificës, dhe le të ekzistojnë edhe një mori interpretimesh tjera për filmin që ka sjell pozitën çnjerëzore të shqiptarëve në ish-regjimin e Jugosllavisë.

Pak minuta para fillimit të shfaqjes së filmit, dëgjohej vetëm zhurma e karrigeve që po shtoheshin minutë pas minute, deri kur salla e mbushur që nga fillimi u stërmbushur dhe në skenë doli përfaqësuesi i ForumZFD, Korab Krasniqi.

Krasniqi, ka shpalosur të dhënat të përgjithshme rreth kësaj ngjarjeje.

“Këtu sonte jemi mbledhur si pjesë e një serie të aktiviteteve që po i bëjmë me Serzginin dhe akterët e ndryshëm ku si pikënisje po i marrim filmat që trajtojnë tema të vështira për të nxitur diskutim në publik. Sot do të shohim filmin “Rojet e Mjegullës” me regji të Isa Qosjës, me neve do të jetë edhe Akademik, Sezgin Boinik”.

Teoricieni, Sezgin Boynik, ka folur shkurt për modelin dominant të filmit si nga ana teknike ashtu edhe nga ajo përmbajtjesore.

“Filmat bardh e zi në Jugosllavi kanë lënë pas vetes një markë të fortë të gjuhës vizuale, madje edhe sot kur ne po flasim, ata ekzistojnë. Motivi dominant i këtyre filmave në Jugosllavi ka qenë kritika e burokracisë”.

Boynik, ka bërë një ndërlidhje të dyfishtë mes diskriminimit etnik në raport me sistemin politik si dhe me lidhjen e këtyre me tematikën e filmit.

“Disa vende të Jugosllavisë e kanë përjetuar më rëndë sistemin dhe unë mendoj se Kosova ka qenë një nga këto vende. Mendoj se është me rëndësi të përmendet veçmas për këta të rijnë këtu që edhe pse nën një sistem, jo të gjitha vendet e kanë gëzuar të njëjtin socializëm, të njëjtat privilegje dhe unë mendoj se ky film është shumë i lidhur me këtë çfarë thash”.

Regjisori i njohur kosovar, Isa Qosja, ka përmendur një ngjarje interesante që ka ndodhur gjatë xhirimit të këtij filmi.

“Ky film ka drithërim në secilën fotografi, ka edhe një pasiguri sepse kemi pasur një pjesë të ekipit nga Serbia, e cila në një moment kur e ka parë fotografinë e Rankoviqit, në qeli atje, është rebeluar, ka dalur dhe ka ndërprerë xhirimin dhe ne nuk e kemi ditur nëse do ta vazhdonim apo jo atë”.

Qosja tutje ka treguar se cila rrethanë e shtyri ish-sistemin që filmin ta klasifikojë si “Pamflet politik”.

“Vetëdija jonë për atë se çfarë na ka bërë regjimi Jugosllav, atyre ju ka shkaktua një tronditje dhe atëherë ka filluar një fushatë e tmerrshme prej asaj që filmi të kualifikohet si pamflet politik”.

Tutje, Qosja ka rrëfyer edhe për një emision që ishte mbajtur rreth këtij filmi ku një gazetar serbë kishte bërë ndërlidhje të çuditshme të simboleve të filmit, ndërlidhje kjo krejtësisht në frymë nacionaliste.

“Ekziston edhe sot një debat që ka qenë organizuar ku kanë marrë pjesë, Ibrahim Rugova, Azem Shkreli, një gazetar serb që ka përfaqësuar anën e errët të këtij filmi, i cili mes të tjerash pyeste se përse njerëzit në film janë të veshur me të bardha, ose a janë ato varkat e letrës që i keni lëshuar në ujë, varkat e lidhjes me Shqipërinë. Pra një imagjinatë e jashtëzakonshme, shumë e bujshme, që t’i trajtojnë simbolet në këtë film. Më dukej shumë naive se si gjithçka e lidhën si donin vet, edhe atë çfarë se kisha menduar mi shfaqën si ide në kuadër të një fushate që dukej qesharake dhe ironike”.

Qosja, ka vazhduar duke bërë një ndërlidhje mes karakterit të rrethanave të atëhershme dhe stimulimit të entuziazmit që ata shkaktonin.

“Po të shikohet entuziazmi, unë konsideroj se entuziazmi i njerëzve për të bërë film ka qenë i jashtëzakonshëm atëherë, pikërisht se kanë qenë rrethanat më të vështira. Dhe unë di se gjithmonë masa popullore është instaluar në fushatën e mbrojtjes së filmit”.

Pas shfaqjes së dokumentarit si dhe debatit pas tij, ky aktivitetet është mbyllur me një koktej rasti për të pranishmit. /KultPlus.com



Të ngjajshme