Ka nisur Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Dea Open Air’

3 Shtator, 2018 - 10:06 am

Në datat 2 deri më 8 shtator 2018, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillojë edicionin e tij të pestë. Festivali vijon traditën e të qenit vizitor në stolinë e rivierës shqiptare, Sarandë.

Shfaqjet Open Air do të organizohen në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Në Kinema Limani është planifikuar të organizohet Ceremonia zyrtare e Hapjes së Edicionit V të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air Sarandë – 2018. Po aty do të ofrohen edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër. Në Kinema Bougainville do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit V të Dea Open Air Festival Sarandë – 2018.

Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale.

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter ( producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (Skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/ Kamerën më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. / KultPlus.com

Të ngjajshme