Katarina Josipi vdiq mu në ditën e Shën Katarinës

10 Shkurt, 2020 - 6:57 pm

Fitim Salihu, Facebook

Gjilan. Është tetori i 1946-s. Po mbahen gjyqet ndaj veprimtarëve të organizatës ilegale patriotike të NDSh-së, Nacional Demokrates Shqiptare, e cila po e mbante bajrakun e rezistencës kundruall komunistëve jugosllavë në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Në mesin e shumë burrave aktivistë është edhe një vajzë e re.

Akuza e prokurorit famëkeq Ali Shukria e fajëson për strehim të Hamdi Berishës, një prej krerëve të NDSh-së, si dhe për fshehje në shtëpi të armatimit të organizatës. Ndonëse rrihet brutalisht në hetuesi, ajo nuk tregoi shokët. Në mungesë të provave, lirohet pas maltretimeve të shumta fizike e psiqike.

Ajo është vetëm 23 vjeçe dhe quhet Katarina Josipi. Të gjithë e njohin si Kati. Me prejardhje është nga Zymi i Hasit dhe atje kreu klasët e para në shkollën e atë Gjeçovit. Më pas jeton në Nish, ku babai i saj punonte si furrëtar. Pas luftës së prillit ’41, babai i saj kthehet në Ferizaj dhe këtu Kati nis hapat e parë të aktrimit amator… por edhe të veprimtarisë politike.

Në kohën sa jetonin në Ferizaj, vëllai i saj, Lazri, bëhet anëtar i NDSh-së, duke qenë nxënës i Gjon Serreçit, një prej udhëheqësve të saj. Në NDSh anëtarësohet edhe Katarina e re. Në vitin 1946 OZNA i arreston së bashku, motër e vëlla. Lazër Josipi u dënua me 12 vite burg.

Me t’i shpëtuar arrestimit, Kati fillon karrierën prej aktoreje në Teatrin e Prishtinës dhe për njëzet vite luajti në mbi 70 shfaqje teatrale – që prej Maricës në dramën “Personi i dyshimtë” më 1949 e gjer tek roli i shërbëtores në shfaqjen “Tri ditë të kiametit” më 1969. Ajo bëri emër si pioniere e skenës teatrore kosovare dhe u kthye në një primadona të Teatrit të Prishtinës.

Katarina u martua me Hilë Pjetrin, inxhinierin emigrant nga Kavaja. Në shenjë hakmarrjeje, UDB-ja vendos t’ia riatdhesojë burrin në Shqipëri, gjersa dy fëmijët e tyre katër dhe dy vjeçarë vdiqën nga një sëmundje e rëndë. Kati vendosi të mos martohej kurrë më.

Në vitin 1968, gjatë një vizite në Shqipëri, ajo e takoi edhe ish-burrin e familjen e re të tij. Ai kishte bërë dy fëmijë dhe ua kishte lënë emrat e djalit dhe vajzës së tyre të ndjerë. Pak muaj më vonë, në moshën 45 vjeçare, Katarina Josipi ndërroi jetë. Kati, e emërtuar sipas Shën Katarinës, po si në një shajni prej providencës, vdiq mu në ditën e Shën Katarinës së Sienës më 29 prill 1969.

Ajo u varros në Karashëngjergj të Hasit, ndanë varrit të atë Shtjefën Gjeçovit që serbët e vranë më 1929 për shkak se i mësonte fëmijët në gjuhën shqipe dhe ndanë varrit të atë Luigj Palës që malazezët e kishin vrarë më 1913 për shkak se i rezistoi konvertimit të dhunshëm të shqiptarëve katolikë.

Hamdi Berisha, për shkak të strehimit të të cilit ish arrestuar Kati, u dënua me pushkatim. 32 nga 37 aktivistët e arrestuar të NDSh-së morën dënime të larta, ndonëse disa prej tyre ishin akoma 16-17 vjeçarë e mosha mesatare e tyre mezi arrinte 30-shin. Të gjithëve së bashku iu shqiptuan 427 vjet burg.

Në dy vitet e ardhshme OZNA ia doli ta shtypte NDSh-në, por jo edhe gatishmërinë e vajzave dhe djemve shqiptarë për t’u organizuar dhe për të sakrifikuar për liri. Rrugën e Katarina Josipit dhe Marie Shllakut e vazhduan Xhevë Lladrovci, Hyrë Emini dhe qindra e mijëra vajza e gra të Kosovës.

Të ngjajshme