Kinemaja CineStar hapi dyert në Prishtinë, një kthesë e shkëlqyer artistike

2 Qershor, 2023 - 2:53 pm

Jeta Zymberi

CineStar, kinemaja më e madhe rajonale, hapi sot dyert për herë të parë në Prishtina Mall.

Për të përjetuar të parët pamjet ekskluzive të kinemasë brenda, ishin ftuar mediat ku secili i pranishëm qysh në hyrje mahnitej nga kjo prurje e re në vendin tonë.

Në hapat e parë të hyrjes në kinema, fryma artistike e CineStar vjen me një shfaqje ndryshe. Dritat e buta po na ndriçonin rrugën për të na përcjell në një botë tjetër të imagjinatës. Dizajnet e jashtme moderne që ishin punuar me shumë mjeshtëri, ndihmonin të ndizet interesi dhe kureshtja për të zbuluar mrekullitë e fshehura brenda mureve të kësaj kinemaje e cila qysh në korridor dukej magjike, shkruan KultPlus.

Në këtë rrugëtim po na shoqëronte menaxheri i kinemasë CineStar për Kosovë, Arben Shabani, i cili kujdesej që në detaje të na njoftonte për specifikat e secilës sallë ku asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën.

Kur hynim në sallat e brendshme, mahnitja artistike arrinte kulmin. Në këto salla, kufizimet e realitetit humbasin kuptimin dhe spektatori vendoset përballë imazheve të bukura dhe emocionuese që shfaqen në ekranin gjigand. Dyshemetë e mbarëvajtjes ishin një tjetër pikë tërheqëse, duke ofruar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për të shijuar çdo moment të eksperiencës kinematografike.

Kur flasim për të rejat teknologjike të kinemasë CineStar ato sjellin një përjetim të pakrahasueshëm për publikun. Sallat janë pajisur me teknologji të fundit në fushën e kinemasë, me ekrane të gjera dhe cilësi imazhi të jashtëzakonshme. Sistemi i tingullit dhe zërit ofrojnë një efekt tërheqës duke përmirësuar ndjeshëm eksperiencën e shikuesit.

Por mbi të gjitha, është programi i filmave të ofruar nga CineStar që bën hapjen e tij ende më të ndjeshme, ku disa nga trailerat e këtyre filmave patën rastin t’i shohin sot gazetarët e pranishëm.

Duke sjell filma të pasur në përmbajtje dhe vizionarë në kinematografi, CineStar ka krijuar një vend të veçantë për magjinë e kinemasë në një vend ku diçka e tillë kishte munguar dukshëm.

Ky megapleks ishte i përbërë nga hiq më pak se 15 salla.

Po e nisim me konceptin “Destination Cinema”, i cili është një trend absolut në industrinë e kinemasë botërore, nga sot është në dispozicion në Prishtinë për të gjithë ata që dëshirojnë filma dhe argëtim pa fund në ekranin e madh, si dhe shumë përmbajtje dhe formate kinemaje të papara deri më tani.

CineStar Megaplex Prishtina Mall sjell formate ekskluzive të kinemasë premium, dhe pikërisht sot u zbulua një lajm i madh: kjo është kinemaja e parë në rajon me sallën SCREEN X.

Screen X është një teknologji speciale e sallës dhe kinemasë në të cilën ekrani shtrihet majtas dhe djathtas të ekranit qendror, i cili i mundëson shikuesit një përvojë filmi panoramik 270 gradë. Të ashtuquajturit – Kinema Pa Kufi.

Oferta e pasur e formateve premium përfshin Gold Class për ata që pëlqejnë një takim luksoz me darkë në kinema. Pastaj sallën eXtreme me një ekran më të madh dhe teknologji më të fortë, Ultimate nga Dolby Atmos është perfekt për adhuruesit e zërimit më të fundit në botën e teknologjisë. Ka edhe një Gaming sallë për e-sports, një Kids sallë për fëmijë që do të ketë një program dhe tingull të personalizuar për fëmijët e vegjël nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Krahas tij ofrohen edhe dy dhoma ditëlindjeje, që e bëjnë këtë lokacion të preferuar për prindër dhe fëmijë. Të gjitha këto formate janë në dispozicion nga sot, ndërsa CineStar njofton se salla 4DX do të hapet më 15 qershor me filmin “The Flash”.

Me 15 salla kinemaje të pajisura në mënyrë modern, të dimensioneve dhe identitetit vizual të ndryshëm, me afërsisht 2000 ulëse, CineStar Megaplex në Prishtina Mall është kinemaja më e madhe, më moderne, por edhe më e bukura në Kosovë dhe më gjerë. Përveç epërsisë teknologjike që përfshin ekranet Harkness nga muri në mur, projektorët lazer Barco 4K RGB, Real D Ultimate 3D, altoparlantët JBL dhe përforcuesit audio Crown, pjesa e brendshme e CineStar të Prishtinës ka një shumëllojshmëri materialesh, ngjyrash dhe stilesh, të nënshkruara nga dizajnerë të njohur që kanë montuar dhe kinema të tjera CineStar të vlerësuara me shumë çmime, përfshirë çmimin për kinemanë më të mirë të sapondërtuar në Evropë 2018 (CineStar Split).

Biletat për CineStar me ofertën me 50% zbritje do të shiten në arkat e kinemasë duke filluar nga dita e sotme, 2 qershor në orën 15:00 kurse online në www.cinestarcinemas-ks.eu janë të disponueshme që tani.

CineStar Cinemas është zinxhiri më i madh i kinemasë në rajon me 28 multiplekse, 182 salla dhe afërsisht 28,000 dhe me këtë megaplex në Prishtinë, CineStar tani hyn fuqishëm edhe në Kosovë.Shoqata Ndërkombëtare e Kinematografëve (UNIC) e shpalli CineStar Cinemas kinemanë më të mirë në Evropë për vitin 2019, pasi përfaqëson një shembull konkret të një kompanie që ngrit nivelin në industri dhe arrin rritje të vazhdueshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme