Komuna e Prishtinës kërkon shfrytëzimin e ‘Kinemasë së Armatës’ për ngjarjet kulturore (FOTO)

30 Gusht, 2017 - 2:18 pm

‘Kinemaja e Armatës’ quhet objekti afër amfiteatrit në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, i cili një kohë të gjatë është administruar nga misionet ndërkombëtare. Tashmë pak muaj më parë i ka kaluar në menaxhim dhe administrim Ministrisë së Administratës Publike.

E pikërisht për këtë objekt Komuna e Prishtinës përkatësisht Drejtoria e Kulturës, është angazhuar fuqishëm që ky objekt të shfrytëzohet për ngjarje kulturore nga ky institucion, shkruan KultPlus. Një gjë të tillë e ka bërë publike në rrjetin social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Besart Vllahinja, i cili ka theksuar se janë të angazhuar, që deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme, të bashkëpunojnë me Ministrinë e Administratës Publike që këtë objekt ta shfrytëzojnë për organizimin e ngjarjeve kulturore brenda këtij ambienti, brenda konceptit të interesit publik.

Po sjellim shkrimin e plotë të drejtorit Besart Vllahinja bashkë me disa fotografi të këtij objekti:

“Objekti afër amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti”, i njohur me emrin “Kinemaja e Armatës” i administruar një kohë të gjatë nga misionet ndërkombëtare, muaj më parë ka kaluar në menaxhim dhe administrim të Ministrisë së Administratës Publike.
Po angazhohemi fuqishëm, që deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme, të bashkëpunojmë me autoritetet e MAP ashtu që shumë prej ngjarjeve të kulturës, të organizohen në këto ambiente, brenda konceptit të interesit publik”, ka shkruar Vllahinja./ KultPlus.com

Të fundit