Konfirmohet sezoni i dytë i serialit “Squid Game”

9 Nëntor, 2021 - 11:00 pm

Është zyrtare, seriali hit i Netflixit, “Squid Game”, do të rikthehet me sezonin e dytë, ani pse shumica e projekteve televizive në Korenë Jugore transmetohet vetëm për një sezon. Por, për shkak të suksesit global të këtij shou, krijuesi, skenaristi dhe regjisori i tij, Hwang Dong-hyuk, tha se pothuajse nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se ta vazhdonin atë.

“Ka pasur kaq shumë presion, kaq shumë kërkesa dhe kaq shumë dashuri për një sezon të dytë të serialit. Tashmë kam filluar të mendoj për të. Aktualisht jam në procesin e planifikimit. Por unë mendoj se është shumë herët për të thënë se kur dhe si do të ndodhë kjo. Kështu që për momentin do t’ju premtoj këtë, Gi-hun do të kthehet dhe ai do të bëjë diçka më shumë për botën,” shpjegoi regjisori gjatë një ngjarjeje speciale në Los Angeles.

Seriali “Squid Game” në të cilin rolet kryesore i luajnë aktorët, Lee Jung-jae, Park Hae-soo, Jung Hoyeon dhe të tjerë, fokusohet në një grup njerëzish të cilët janë të dëshpëruar për para, dhe kështu pajtohen të marrin pjesë në disa lojëra të fëmijëve të cilët rezultojnë vdekjeprurëse.

Drama për mbijetesën nga Korea Jugore u shndërrua në serialin më të shikuar në historinë e Netflixit. Dhe me gjithë këtë sukses, yjet protagonist të shout kanë arritur të fitojnë famë anembanë botës dhe jo vetëm në vendlindje.

Modelja e shndërruar në aktore, Jung Hoyeon, është mësuar të udhëtojë për sfilata të ndryshme të modës. Por, në udhëtimin e saj të fundit nga Korea në Los Angeles, ajo u takua me fansine saj të parë në aeroportin LAX, i cili i kërkoi autografin.

Aktori protagonist, Lee Jung-jae, ka më shumë se 25 vjet që punon në projekte filmike e televizive në Korenë Jugore. Tani, jeta e tij ka ndryshuar tërësisht sepse edhe njerëzit nëpër rrugët e Amerikës e njohin se kush është.

Aktorët dhe krijuesi i “Squid Game”, që të gjithë ëndërrojnë që një ditë të punojnë në projekte të Hollywoodit.

Projekti i radhës i aktorit Park Hae-soo është, “Korea Money Heist”, i cili bazohet në serialin e njohur spanjoll “Casa de Papel”. Në shoun e ardhshëm Park e luan rolin e Berlinit.

“Squid Game” transmetohet anembanë botës përmes platformës digjitale Netflix. / KultPlus.com

Të ngjajshme