Korab Lecaj fiton çmimin “Arritje e jashtëzakonshme në regji” në New York

1 Shtator, 2020 - 11:28 am

Edicioni i 9-të i “International Filmmaker Festival of New York” shënoj një sukses të radhës për kinematografinë shqiptare. Regjisori i filmit “Klithma” është shpërblyer me çmimin special “Outstanding Achievement in Directing” apo “Arritje e jashtëzakonshme në regji”, shkruan KultPlus.

Regjisori i filmit, Korab Lecaj padyshim që ndjehet i lumtur për këtë të arritur në skenën ndërkombëtare të filmit.

“Çmimi special për arritje të jashtëzakonshme në regji, ka domethënie të veçantë sepse është hera e parë që shpërblehem me një çmim për regjinë që kam bërë në filmin “Klithma”, ka thënë Lecaj për KultPlus.

Për filmin i cili ka temë pasojat psikologjike të dy burrave shqiptarë të dhunuar seksualisht nga paramilitarët serb gjatë luftës në Kosovë, Lecaj vlerëson se kishte ndikim të madh te opinioni ndërkombëtar.

“Kjo temë e pati tronditur vitin e kaluar publikun në Norvegji, ku edhe patëm fituar çmimin “Best Short Film”, në West Nordic International Film Festival. Poashtu edhe publikun Indian, boshnjak e tash edhe publikun amerikan”, thotë regjisori Lecaj.

Përderisa filmi pritet të shfaqet nëpër festivale të ndryshme botërore, Korab Lecaj këtë e sheh edhe si mundësi që të njihet realiteti historik i Kosovës.

“Sa më shumë që shfaqet filmi, aq më shumë bota do ta kuptojë të vërtetën që ka ndodh në luftën e Kosovës”, thekson regjisori.

Ky film është shpërblyer edhe në festivalet: Best Short Film – West Nordic International Film Festival (Norvegji), Best Editing – 7th Indian Cine Film Festival (Indi), Best Screenplay – Festivali i filmit “Hyjnesha në Fron” (Kosovë) dhe Best Cinematography – Asociacioni i Kinematografëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. / Medina Pasoma/ KultPlus.com

Të ngjajshme