Kushtrim Hoxha nderohet nga ‘PriFest’ me çmimin e përvitshëm për arritje në kinematografi

17 Korrik, 2019 - 10:11 am

Festivali më i rëndësishëm i filmit në Kosovë ‘PriFest’, mbrëmë nisi rrugëtimin e tij një javorë ku pritet të shpalosën plot 70 filma, shkruan KultPlus.

Për të njëmbëdhjetin vit me radhë, ky festival ka sjell premiera të filmave si dhe emra të njohur të kinematografisë botërore në Kosovë.

Në hapjen e këtij festivali në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës e cila ishte mbushur plot dashamirë të filmit u tha që kjo jave do të jetë javë e shoqërisë, shoqërimit dhe e bashkëpunimit.

Mysafir special i kësaj hapje ishte aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili kishte qenë një ndër vullnetmirët e festivalit që në fillimet e tij dhe më pas kishte shkuar në Amerikë ku ka ndërtuar  një karrierë të suksesshme duke qenë kështu pjesë e serialeve të njohura.

Në PriFest çdo vit, natën e fundit të festivalit ndahen edhe çmimet, por kësaj radhe agjenda ishte ndryshuar paksa. Aktorit Kushtrim Hoxha mbrëmë iu bë një surprizë shumë e këndshme meqë ai sot udhëton për në Amerikë. Gjatë mbrëmjes hapëse atij ju nda Çmimi i përvitshëm për arritje për një artist nga Kosova.

I lumtur për këtë fakt, Hoxha u ngjit në skenë për të marrë çmimin ku edhe u shpreh i nderuar për këtë vlerësim.

‘Jam i lumtur që kam nisë në këtë festival si vullnetar para shumë vitesh ndërsa tani po kthehem në këtë festival që është bërë i suksesshëm dhe tradicional. Ndihem i nderuar me çmimin’, u shpreh Hoxha gjatë pranimit të çmimit.

Mbrëmë, në natën e parë të Festivalit u dha premiera kombëtare e filmit ‘Fusha e Mëllenjave’ e Arzana Kraja.

Ketë edicion do të shfaqen 70 filma në katër lokacione në Prishtinë me 5 kategori garuese si dhe me 8 juri ndërkombëtare dhe kombëtare. Po ashtu do të jenë disa ekspertë të cilët do të vlerësojnë filmat kosovarë dhe kështu do ta kenë mundësinë që të tejkalojnë qarqet e kufijve. /KultPlus.com

Të ngjajshme