Lady Gaga shkëlqen në premierën e filmit “House of Gucci” në Milano

14 Nëntor, 2021 - 12:00 pm

Lady Gaga ka shkëlqyer në tapetin e kuq gjatë premierës së “House of Gucci” që u mbajt të shtunën (13 nëntor), në Milano.

Këngëtarja dhe aktorja 35-vjeçare – e cila luan në filmin e drejtuar nga Ridley Scott si Patrizia Reggiani, gruaja famëkeqe për komplotimin e vdekjes së ish-bashkëshortit Maurizio Gucci,  u pa e veshur me një fustan të personalizuar të “Versace”, i cili ishte me një stil të çarë deri në kofshë dhe pjesë të gjatë lëshuar prapa.

“E bërë nga saten mëndafshi, fustani merr frymëzim nga dizajnet e koleksionit Versace pranverë-verë 1995”, thuhet në llogarinë e stilistit në Instagram.

Këngëtarja e “Love for Sale” kompletoi dukjen magjepsës me taka të larta me platformë me ngjyrë të kuqe dhe bizhuteri ari, shkruan People.

“Kam qarë gjatë gjithë ditës duke u paraqitur për media në Milano. Jam shumë mirënjohëse dhe e përulur që jam në filmin tonë “House Of Gucci. Po vjen Dita e Falënderimeve!”, shkroi ajo në një foto nga premiera që postoi në Instagram.

Në numrin e dhjetorit të British Vogue, këngëtarja e “Rain on Me” foli për mënyrën sesi xhirimet e dramës, në të cilën luan edhe Adam Driver si Maurizio Gucci, e dëmtoi atë psikologjikisht.

 “Kam pasur disa vështirësi psikologjike në një moment nga fundi i xhirimeve. Unë isha ose në dhomën time të hotelit, duke jetuar dhe duke folur si Reggiani, ose isha në xhirime, duke jetuar dhe duke folur si ajo”, kishte deklaruar Gaga.

“Më kujtohet se një ditë dola në Itali me kapele për të shëtitur. Kisha rreth dy muaj që nuk kisha bërë një shëtitje dhe më kishte zënë paniku. Mendova se isha në një set filmi”, tha tutje këngëtarja.

Filmi tregon pasojat e vdekjes së Maurizios pasi Reggiani punësoi një vrasës me pagesë për ta vrarë atë në 1995. Reggiani, tani 72 vjeç, kreu 18 vjet burg dhe u lirua në vitin 2016, por ajo ende pretendon se u dënua gabimisht.

Në “House of Gucci” luajnë  gjithashtu yjet si: Al Pacino,  Jeremy Irons,  Jared Leto,  Salma Hayek,  Reeve Carney dhe Jack Huston . Filmi debuton në kinema më 24 nëntor. /KultPlus.com

Të ngjajshme