займ на карту онлайн потребительский кредит

‘Lëkura e Qenit’ i Fatos Kongolit do të bëhet film

14 Janar, 2021 - 6:28 pm

Ditëlindja e 77-të e shkrimtarit Fatos Kongoli u shënua me aktivitetin “Nën lëkurën e qenit”, një ceremoni e  vogël në kohë pandemie pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të vlerësuar kontributin e shkrimtarit.  

Në këtë aktivitet ku u bënë bashkë autorë, studiues të veprës së tij, botues, përkthyes, kineastë, shkrimtari Fatos Kongoli u vlerësua me një certifikatë mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Shkrimtari Fatos Kongoli shprehu mirënjohjen e tij për njerëzit, që i kanë qëndruar pranë dhe tha se nuk e priste këtë vlerësim dhe ceremoni në këtë kohë pandemie. “Ju falënderoj të gjithëve. Unë mendoj që mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton, pasi ngjitesh deri sipër. Troket tek Shën Pjetri të mbyllet dera dhe kthehesh pas, atëherë e kupton se çfarë është mirënjohja. Faleminderit të gjithëve”, u shpreh ndër të tjera Kongoli.

Ndërkohë, shkrimtari Besnik Mustafaj i pranishëm në aktivitet u shpreh se “Kongoli me letërsinë e tij para e pas 1990-ës, por sidomos pas 1990-ës, ka treguar vlerat e tij si shkrimtar sepse prova e vërtetë për letërsinë, është  përdorimi i lirisë”.

Në 77-vjetorin e autorit, regjisori Spartak Pecani bëri me dije dhe një tjetër bashkëpunim për një vepër filmike, pas suksesit të filmit “Bolero në vilën e pleqve”. Ai tha se do të ekranizohet romani “Lëkura e qenit”, që është një ndër veprat më të mira të tij.

“Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarin. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Unë kam sërish në duar romanin “Lëkura e qenit”, që ka fituar të drejtën për zhvillim dhe së shpejti do të hidhet në prodhim. Jam i lumtur, që veprën më të mirë do ta kem në duar në fund të krijimtarisë sime”, u shpreh ndër të tjera kineasti Spartak Pecani. /gazetasi/ KultPlus.com

Të ngjajshme