LevelK godet, shet dramën kosovare ‘Zgjoi’ të Blerta Bashollit: Një histori që do të motivojë gjithë botën

4 Maj, 2021 - 12:35 pm

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, por ky ishte vetëm fillimi i suksesit për dramën kosovare, shkruan KultPlus.

‘Zgjoi’, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Kjo dramë kosovare që tërhoqi vëmendjen botërore, ka arritur suksesin e radhës të cilin Blerta Basholli e ka ndarë me publikun.

LevelK e ka shitur filmin “Hive” në Kinë (Hugoeast Holding), Skandinavia (Edge Entertainment), Portugalia (Filmat4you), Republika Çeke (HBO Evropa Qendrore), Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia (Kino Mediteran), Turqia (Filmarti), dhe Greqia (Cinobo), shkruan Screen Daily, përcjellë KultPlus.

LevelK gjithashtu po finalizon edhe shumë marrëveshje të tjera.

Emily Russo dhe Nancy Gerstman, bashkë-presidentë të Zeitgeist Films kanë thënë: “Ne kishim arritur kufirin tonë ideal prej pesë filmash të zgjedhur me kujdes në vit për të shpërndarë, por kur erdhi “Hive”, gjithçka ndryshoi. Ky film pati një efekt kaq të fuqishëm tek ne, sa ishte e pamundur të injorohej, dhe e pamundur të mos dëshiroje të sillje tek publiku i Amerikës së Veriut”.

Po ashtu, shefja e blerjeve e Altitude, Laura Wilson ka shtuar: “Hive” është një dritë e rëndësishme për pasojat e luftës në Kosovë, është gjithashtu një histori e grave që kapërcejnë padrejtësitë në një shoqëri patriarkale, e cila do të rezonojë dhe motivojë në të gjithë botën”.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme