Lorena Sopi: Tani vështirë se gjeni një profesor artistik të kalibrit nga i cili do të mësoni

27 Janar, 2021 - 11:58 am

Në festivalin “Star Film Fest” i cili mbahet online në Barcelonë nga data 25-31 janar 2021, në mesin e 200 filmave që do të shfaqen në pesë kategori, në programin zyrtar do të jenë edhe dy filma të shkurtër të Lorena Sopit, ‘Schauerfilm’ dhe ‘Më e bukur se pranvera’ /More Beautiful than the Spring/. Me këtë rast, drejtori i festivalit, David Valverde ka zhvilluar një bisedë me regjisoren Sopi, e cila intervistë është botuar në faqen e platformës së festivaleve të Barcelonës e në po ju sjellim më poshtë:

– Si do të dëshironi ta definoni vetveten?

Një filmbërëse në hapat e parë. Unë kam diplomuar në Toronto Film School – degën e produksionit. Po ashtu jam në përfundim të vitit të katërt Bachelor në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve – dega e regjisë së filmit. Pra, unë jam shkolluar si filmbërëse. Por, jo sa për të kryer një shkollë. Kjo ka qenë zgjedhja ime jetësore.

– Qe sa kohë merreni me kinematografi?

Si fëmijë, diku në moshën shtatë vjeçare, kam luajtur një rol shumë domethënës në filmin e babait tim ‘Anatema’. Atëbotë, filmin e përjetoja si një botë të magjishme. Si një ëndërr që ndodhë kur je zgjuar. Ndoshta ajo lloj ëndrre më është dukur diku në ndërdije dhe me ka opsesionuar me botën e mrekullueshme të filmit, që më vonë ndodhi të jetë rruga ime jetësore. Kështu, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare fillova të studioja filmin, kurse në moshën 17 vjeçare, e realizova filmin tim të parë. Pra, po bëhen pesë vite që unë kam studiuar dhe kam xhiruar filma të shkurtër paralelisht.

– Çfarë ju tërhoqi në botën e krijimit të filmit?

Në rininë e hershme kam qenë e interesuar për lojën (artin më të vjetër). Kam qenë balerinë në Baletin Nacional të Kosovës për tre vjet. Kur vendosa të studioj, kisha një rrëmujë të paimagjinueshme në kokë. Kisha shumë hezitime për udhën që do ta zgjedh. Kisha në kokë, një botë fotografish të koklavitura, një botë shumë të veçantë për të cilën mendoja se ishte ekskluzivisht e imja, por të cilën kisha shumë dëshirë ta ndaj me të tjerët. Ndoshta ky ishte edhe momenti vendimtar që unë e lash baletin, e lash shkencën (kam qenë matematicientja më e mirë në shkollën time dhe kam dashur të studioj ‘Teorinë e gjasës’). U përcaktova të studioj filmin. Të zgjedh filmin si udhë jetësore. Ndoshta në ndërdije ka ndikuar edhe back-groundi i prindërve të mi. Nuk e di.

– Kinemaja është një lloj shumë specifik i gjuhës. Çfarë dëshironi të shprehni me filmat tuaj?

Natyrisht, gjuha e imazhit, apo gjuha e filmit, është parakusht elementar që duhet ta keni absolvuar qysh në hapat e parë. Vetëm kur keni mësuar gjuhën, ju mund të përgjigjeni në shumë pyetje të vështira që parashtron para jush bota e madhe e kinematografisë. Pasi kisha realizuar filmin ‘Eternally Child’ e ftova babain tim që ta shohim bashkë. Kisha përshtypjen se ai po më qortonte në heshtje për ‘temën e madhe’ që kisha trajtuar. Ia preva e para, dhe i thash: E di që do të më thuash se duhet të filloj nga jeta reale, nga ajo që quhet sot dhe tani. Kurse ai mu përgjigj: Përkundrazi. Jeta reale projektohet përbrenda dimensioneve të vogla, konsiston në gjëra të vogla që ndonjëherë kanë domethënie, pjesa më e madhe është rutinë shterpë, është e shkurtër, e rrëmujshme, përherë në humbje. Thjesht, jeta reale është botë e kufizuar, tepër e vogël. Aty ku përfundon bota e vogël reale, aty fillon bota e madhe dhe e pakufishme e artit, si një alternativë dhe privilegj e asaj që e gjakojmë por nuk e kemi. Për mua kjo është këshilla më domethënëse që ka ndikuar në përcaktimin e qasjes sime karshi botës së artit.

– Cilat janë ëndrrat, synimet tuaja në Kinematografi?

Fillimet e krijimtarisë sime me filmat e shkurtër, kanë trajtuar tema ‘të mëdha’ po i quaj kështu kushtimisht. Si duket kështu fillojnë të gjithë. Duke synuar botën e Ingmar Bergman-it apo Andre Tarkovskyt. Pra edhe dy filmat e mi të parë trajtojnë fshirjen e kufijve mes jetës dhe vdekjes. ‘Një balerinë që ndillet nga vetvetja të shkoj drejt një aksidenti fatal’ (Mona), apo ‘Një Baba plak i cili takon fëmijën e vdekur për t’i kërkuar atij falje për vrasjen aksidentale në rininë e hershme’ (Eternally Child). Tani, filmi im i fundit, është një komedi e zezë. Mban titullin ‘Shauerfilm’. Trajton një situatë të errët komike në një shkollë filmi e cila i ‘përpinë’ talentet. Tani, në skenarët e mia të cilat pretendoj t’i realizoj, trajtohen tema që ndeshen si të zakonta në jetën e përditshme e të cilat gjatë zhvillimit marrin dimensione të thella dhe të panjohura.

– Në cilin zhanër kinematografik ndiheni më rehat?

Nuk kam ndonjë preferencë. Varet nga forma dhe përmbajtja qe doni ta ndërtoni. Atëherë zgjidhni formën dhe zhanrin ku ndjeheni më komod. Tani kam në duar dy skenarë shumë të mirë për filma të gjatë dhe që të dy janë drama. Por stilistikisht krejt të ndryshme. Sidoqoftë, mua më pëlqen shumë edhe komedia.

– Çfarë burimesh përdorni për t’u frymëzuar?

Është pyetje e komplikuar për mua. Ndonjëherë më frymëzojnë ngjarjet e ditës. Ato më inferioret por që janë të veçanta, ngjarjet që shumica e opinionit nuk i vëren fare.(Si për shembull filmi im i fundit ‘Hashtag’ për të cilin jam frymëzuar nga një ngjarje krejt e zakonshme derisa po pija një kafe dhe po përfundoja një seminar që më kishte ngelur në gjysmë, përball meje ishin ulur dy vajza të cilat për më shumë se një ore, ndejën duke fotografuar njëra tjetrën, duke postuar foto dhe duke komunikuar me persona fiktiv në rrjetet sociale. Ato nuk e folën asnjë fjalë. Nuk e shkëmbyen asnjë shikim. Ato po rrinin së bashku, por po jetonin një jete virtuale, imagjinare, që nuk ekziston. Nga këtu, më lindi ideja ta bëjë një film të shkurtër për jetën virtuale të imagjinuar si përmbushje shpirtërore dhe jetën reale krejt të zbrazët. Në një rast tjetër, jam frymëzuar nga një ditar i luftës të cilin e ka shkruar një vajzë e vogël në ditëlindjen e saj të nëntë. Ka qenë fantastike se si e ka parë ajo luftën, botën e vrazhdë që rrënohet e shkatërrohet para syve të një fëmije. (Filmi im ‘Rreze’) Ose, kam përfunduar një skenar që e dua tepër shumë, mban titullin ‘Fluturat e zisë’, bazohet në një ngjarje të vërtet që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë botërore, kur një mjek shqiptar, ditën e invadimit gjerman, vendos të nxjerr të gjithë të sëmuret nga spitali dhe në vend të tyre vendos komunitetin hebre të qytezës për ta shpëtuar duke deklaruar se spitali është i infektuar nga mortaja. Pra, unë frymëzohem sipas ndjeshmërisë, sipas fenomeneve që lënë gjurmë në mendjen dhe zemrën time. Në instancën e fundit, për mua arti është para se gjithash emocion i thellë. Është diçka shpirtërore, diçka qe kapërcen edhe dimensionet e religjionit.

Në cilin zhanër kinematografik ndiheni më rehat?

– SCHAUERFILM duket si një kritikë ndaj profesorëve të filmit. Çfarë vizioni keni për profesorët tuaj? (Kjo pyetje nuk është e ndërlikuar. Është thjesht kurioze).

Nuk bëhet fjalë për profesorët e shkollave ku unë kam studiuar. Bëhet fjalë për shkollën që është shndërruar në formë, biznes, formula të thata. Në shkollat ku mediokritetet e patalentuara me tituj e diploma, mbajnë leksione banale për artin. Është një lloj nostalgjie për atë që ka vdekur në shkollat e famshme kinematografike të gjysmës së dytë të shekullit XX-të. Në shkollat ku kanë ligjëruar personalitete të mëdha të kinematografisë si për shembull: Andrzej Wajda, Millos Forman, Ingmar Bergman, Bela Tarr, Michael Haneke, etj. Tani vështirë se gjeni një profesor artistik të kalibrit nga i cili do të mësoni të paktën si ta ndërtoni identitetin tuaj, apo si t’i shkruani fjalët e para kinematografike.

– A keni me vete një ekip njerëzish gjatë krijimit të filmave tuaj apo jeni një kineaste e vetmuar? (Të dy mënyrat e krijimit të Kinemasë janë plotësisht të vlefshme).

Kam disa miq. Si te them, jemi një ekip i gjeneratës që ndajmë të njëjtin sensibilitet karshi kinematografisë. E kuptojmë njëri-tjetrin dhe shpesh e plotësojmë njëri-tjetrin. Kinematografia nuk është art individual, është art ekipor, është një lloj familje e komplikuar ku secili ka rëndësinë e barasvlershme me tjetrin. Të paktën, unë kështu e konsideroj filmbërjen.

– Sa filma keni realizuar deri më sot?

Kam realizuar pesë filma të shkurtër si skenariste dhe regjisore. Kam qenë producente në disa prej tyre dhe me një film dokumentar të metrazhit të plotë.

– A ndiheni të kufizuar për prodhimet tuaja nga situata aktuale botërore me COVID?

S’di çfarë të them. Personalisht, kam pasur disa plane për punë /xhirime/ në teren dhe të gjitha kanë dështuar. Megjithatë, unë e kam shfrytëzuar këtë kohë për të shkruar. Kam shkruar dy skenarë te vlefshme dhe këtë periudhë nuk e konsideroj krejt kohë të humbur, përkundrazi.

– Çfarë mesazhi inkurajimi do t’u jepnit të gjithë njerëzve që i janë përkushtuar artit të shtatë?

Besoni vetes suaj deri në fund. Mos u dorëzoni asnjëherë, as atëherë kur jeni të rrëzuar për tokë, të përbuzur, të mospërfillur, të harruar. Arti është si uji që ecën. Mund të ndalet përkohësisht, por ai gjen shtigje alternative për ta vazhduar rrjedhën. Mos besoj në praktikën amerikane se filmi është ‘story telling’. Jetë e reprodukuar besnikërisht. Jo, një botëkuptim i tillë është veç dimensioni elementar që i ofrohet publikut mediokër. Kaq. Filmi si art, duhet të kapërcej dimensionet reale dhe të zhytet në shtresat e thella kuptimore, emotive, ekzistenciale. Pra, duhet të jetë alternativë e privilegjuar e jetës reale. Pikërisht, ‘Aty ku përfundon bota e vogël reale, aty fillon bota e madhe dhe e pakufishme e artit, si një alternativë dhe privilegj e asaj që e gjakojmë por nuk e kemi’

Çfarë lamtumire krijuese mund të mendoni për t’i dhënë fund kësaj interviste?

Besoj se do të shihemi përsëri. Nëse jo in persona, patjetër se do të shihemi përmes vizioneve tona kinematografike të cilat ndoshta nuk do të mund ta ndryshojnë botën, por do t’i ndryshojnë njerëzit të cilët do të mund ta ndryshojnë botën. Link: https://teknochatfestivales.foroactivo.com/t50-lorena-sopi / KultPlus.com

Të ngjajshme