‘Luaneshat e Kodrës’ premierë në Prifest, shpalos ulërimën e zjarrtë të rinisë për liri

27 Gusht, 2021 - 3:30 pm

Era Berisha

Të ulura në një kodër, pamja e së cilës është e pakrahasueshme, tri personazhet kryesore si: Qe, Li dhe Jeta, mbi tre shkëmbinj jetësojnë filmin e metrazhit të gjatë ‘Luaneshat e Kodrës’, e së bashku me fjalët: Oh Kodër, nis të shpaloset rrjedha e historisë së tyre e cila fillon pikërisht me një ulërimë që vjen nga brendësia shpirtërore e tyre. Përpjekjet e këtyre personazheve për tu ballafaquar me padrejtësitë e jetës pasqyrohen në këtë film nën skenarin dhe regjinë e Luàna Bajrami, e që mbrëmë u shfaq para publikut kosovar në kuadër të edicionit të 13-të të PriFest, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 20:30, ishin njerëzit e shumtë të cilët vrullshëm po mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar duke zënë vendet e tyre të distancuar. Pas pritjes të padurueshme të të pranishmëve dhe fikjes së dritave të ngrohta brenda sallës, filmi nisi hapjen e tij nën errësirën tashmë të mirënjohur nga çdo kush.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit. Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi.

Kamera precize e regjisores Luàna Bajrami, duket se pas çdo gremisje të paraqitur brenda rrjedhës së filmit, para publikut kosovar shfaq imazhe e peizazhe që i ngjasojnë fantazive e imagjinatave të mbyllura në thellësinë shpirtërore të qenies njerëzore, duke ngulitur kështu syrin e tij para ekranit me një rrënjosje të pamjeve diversive të kodrave dhe jo vetëm. Cicërima e zogjve në natyrë dhe ajo pranë ujit të kristaltë e krejtësisht të pasur, portretizonte lirinë e ëndërruar të tri personazheve kryesorë.

E teksa këto pamje paraqitnin një spektakël më vete porsi një tablo e pikturuar nga plasaritja e emocioneve e ndjenjave nga më të ndryshmet, filmi tregonte për jetën e tre vajzave, familjet e të cilave ndryshonin nga njëra-tjetra por që në thelb kishin të pikasur një mendësi pothuajse të njëjtë.

Fshatin në të cilën ato janë rritur duket se tashmë vajzave po iu shndërrohet në një labirint nga i cili nuk ka shpëtim e as dalje. Përderisa ato prisnin rezultatet e tyre për tu pranuar në Universitet përkundër mendimeve të prindërve të tyre, ambiciet e tyre nuk po mund të kalonin pas prangave të fshatit në të cilin po frymojnë. Por kërkimin e tyre për të qenë të pavarura në jetë nuk mund t’ia ndalë askush, andaj po njëlloj si emri i këtij filmi, këto luanesha nisin hungërimën e tyre e cila edhe do të ketë një fund të paparashikuar.

Në tentim për lirinë e tyre shumë të dëshiruar, gjatë rrugës për një të ardhme më të mirë, iu bashkëngjiten edhe dy personazhe të tjerë të interpretuar nën aktrimin e Andi Bajgores, dhe Luàna Bajramit. Por edhe pse kjo ndërhyrje do të ndikojë në jetën e tyre, udhëtimi i tyre po vazhdon pothuajse njëjtë. Prandaj, koha për të marrë përsipër vendimet për veten në duart e tyre pas përjetimeve të dhunës fizike dhe seksuale të përditshme si dhe varfërisë të vazhdueshme, tashmë ka gjetur vendin dhe kohën e duhur.

‘Luaneshat e Kodrës’, titullohet emri i bandës së tyre e që duket se për ta ishte zgjidhja e vetme dhe e fundit në një shtet ku ndryshe nuk funksionohet. Andaj, vjedhja e tyre e parë në një dyqan bizhuterish i siguron atyre një numër të madh parash, përmes të cilave ata shijojnë jetën në një shtëpi të braktisur e cila është shndërruar në strofullën e tyre të paqes. Por kjo fole e ruajtur me dashuri, lumturi e qetësi absolute së shpejti nuk do të jetë më e tillë.

Një arratisje e tyre drejt detit, do të shpalos historinë e dy dashurive të krijuara përgjatë këtij rrugëtimi e ku më në fund nën meloditë e këngës ‘Fëllënza’, buzëqeshjet e sinqerta, lumturia në sy njeriu dhe dhimbjet e varrosura brenda shpirtrave, zgjuan ndenja të bukura tek të pranishmit, duke i shtyrë ata të mendojnë se ata po i afrohen drejt një fundi të lumtur i cili do të zgjasë me po të njëjtat emocione. Por, sic edhe thuhet brenda filmit: gabimi i vetëm i tyre është kthimi në ferrin të cilin e lanë para disa ditësh.

E ky ferr i mbushur me gjak në skenën e fundit vulos fundin e këtij gabimi që shpërtheu zemrat e luaneshave në një gabim të papërmirësuar.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që zhurmuan sallën e Teatrit Kombëtar në një varg melodish të përsëritura për disa minuta. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Luaneshat e Kodrës’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Po ndjehem shumë e kënaqur dhe faleminderit shumë për pritjen. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e Kosovës dhe Francës, aktorët si dhe PriFest-in. Me qenë njeri dhe me pas ambicie është goxha e komplikuar, kështu që këtë film e kam bërë për inspirim. I kam pasur 18 vjet kur e kam shkruar dhe xhiruar e arritja dhe udhëtimi i këtij filmi, është goditje shumë e madhe për të gjithë ne”, thotë Bajrami.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Luaneshat e Kodrës’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Luàna Bajrami si dhe aktorët në rolet kryesore: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

“Unë kam dashur të flas për liri dhe me kriju një film që do ta kisha dëshirë ta shihja kur i kam pasur 15 vjet. Jam inspiruar prej shumë gjërave dhe kam dashur që këtë film ta mbajë në Kosovë sepse Kosova më inspiron por kjo tematikë për mua është shumë universale. Kështu që këto ndenja në film ndaj kësaj rinie, problematikat e kufizimet që i kanë, mendoj se e njëjta është edhe në Francë”, thotë Bajrami.

Sipas saj, është dashur të merret shumë vetëbesim nga vetja dhe të tjerët sepse filmi nuk pa pasur përkrahje në fillim por gjatë procesit të xhirimit, është arritur lidhja me disa partnerë të ndryshëm.

Ndërsa, aktorja Uratë Shabani foli rreth punës së saj me një regjisore vajzë.

“Po shkoj në audicion dhe po shkoj shumë vetvetja ashtu siç doja unë të isha e veshur. Kur hyra dhe e pashë Luanën, ishte një moment që më goditi papritmas. Prandaj, për të punuar me Luanën është fat shumë i madh, të paktën për mua sepse ky është filmi im i parë i gjatë dhe prej Luanës 18 vjeçare kam mësuar shumë më shumë se sa me regjisorët të cilët kam punuar më herët”, thotë Shabani.

Po ashtu, aktorja Flaka Latifi foli rreth të përbashkëtave të saj me rolin e saj në film.

“Në film e luaj rolin e Qe-së e cila ka shumë të përbashkëta me mua por gjithashtu ka edhe dallime. Qe është një vajzë me karakter shumë të fortë që po njëlloj e shoh edhe veten. Qe po ashtu është ambicioze dhe punëtore. Këto do të thoja që mund të janë karakteristikat e përbashkëta që Flaka i ka me Qe-në”, thotë Latifi.

Kurse, aktorja Era Balaj foli rreth punës së tyre në ekip dhe emocionit të saj gjatë premierës së filmit në PriFest.

“Së bashku me aktoret jemi bërë shumë shoqe dhe mendoj që kjo ka ndikuar në gjithçka mes neve. Ka mjaftuar njëherë me diskutu dhe kemi qenë në të njëjtën faqe për atë se çfarë kemi dashur të arrijmë. Kështu që dje ka qenë hera e dytë që e kemi parë filmin dhe mu është dukur si me pa për herë të parë”, thotë Balaj.

Gjithashtu, aktori Andi Bajgora foli rreth arsyes së interesimit të madh të publikut për të parë filmin.

“Nuk jemi mësuar të shohim shumë aktorë të rinj duke punuar në një projekt kaq të madh e as nuk jemi mësuar të shohim një regjisore kaq të re. Energjia jonë gjatë xhirimeve gjithçka e ka bërë interesant dhe ka shtyrë që edhe njerëzit tonë të interesohen për filmin”, thotë Bajgora.

‘Luaneshat e Kodrës’, filmi i parë i gjatë kosovar që ka shfaqur premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme