Lufta në Kosovë përmendet si histori suksesi në dokumentarin e fundit të NATO-s (VIDEO)

2 Prill, 2024 - 2:42 pm

Aleanca Veri-Atlantike NATO, ka realizuar një dokumentar rreth misionit të saj, gjatë 75 viteve të fundit në disa shtete të ndryshme.

Që nga momenti që është themeluar në vitin 1949 e deri në përforcimin e Evropës Lindore në vitin 2022, ky dokumentar ka përfshirë të gjitha momentet që përcaktojnë organizatën përmes përvojave të njerëzve që kanë parë këto momente.

Gjatë dokumentarit përmendet se si NATO në vitet e 90’, ka ndihmuar që të përfundojnë konfliktet etnike në Ballkan Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, urdhëron një goditje brutale ndaj shqiptarëve në Kosovë”, nis shpjegimi i ngjarjeve në Kosovë gjatë asaj kohe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë viteve 1995-1999, Javier Solana, është shprehur se ne duhet të ndalojmë dhunën dhe t’i japim fund një katastrofe humanitare që po ndodh tani në Kosovë.

NATO nis një fushatë ajrore në vitin 1999 për të ndalur krizën humanitare që po shpaloset në Kosovë, dhe gjatë dokumentarit thuhet se “Ndërhyrja e NATO-s i dha fund konfliktit”.

Tutje, në dokumentar thuhet se sot KFOR, Forca e NATO-s në Kosovë, që është themeluar në qershor të vitit 1999 nën mandatin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vazhdon të ofrojë siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme