‘Mank’ kryeson nominimet e Academy Awards, ndërsa regjisoret gra bëjnë histori

15 Mars, 2021 - 3:39 pm

Janë publikuar nominimet për edicionin e 93-të të çmimeve Oscar dhe bie në sy një numër tepër i lartë grash të nominuara. 70 gra kanë marrë në total 76 nominime, një rekord i ri ky për Akademinë.

Për herë të parë në histori, në garën për regjisorin më të mirë do të jenë dy gra: Emerald Fennell dhe Chloe Zhao, me këtë të fundit që është gruaja e parë me ngjyrë që nominohet në këtë kategori.

Ndërkohë, filmi me më shumë nominime, plot 10, është “Mank”, një dramë bardhë e zi mbi skenaristin Herman J. Mankewicz dhe vështirësitë e tij për të shkruar skenarin e filmit legjendar “Citizen Kane”.

Ndërsa aktori Steven Yeun, u bë koreano-amerikani i parë i nominuar për aktorin më të mirë në një rol kryesor.

Në mes të tjerash, kompania e njohur amerikane Netflix, realizoi shumë nominime, ku përveç arritjes së madhe me filmin ’Mank’, u nominuan edhe filmat: “Da 5 Bloods” me një nominim, “The Trial of the Chicago 7” fitoi shtatë nominime dhe “Ma Rainey’s Black Bottom” u nominua gjithsej pesë herë me aktorin Chadwick Boseman i cili u nominua si aktori kryesor më i mirë.

Ceremonia e Çmimeve të Akademisë do të mbahet me 25 Prill, në Teatrin Dolby në Hollywood dhe në Los Angeles ’Union Station.

Për momentin është e panjohur se çfarë pamje do të ketë dhe çfarë forme do të marrë këtë vit ceremonia. Po ashtu edhe shikueshmëria nuk është e paraparë për arsye se shikueshmëria është zvogëluar edhe në Golden Globes, prej 18.3 milionë në 6.9 milionë. / KultPlus.com

Të ngjajshme