Me ndarjen e çmimit ‘Young Discovery Talent’, përmbyllet Rolling Film Festival

21 Prill, 2021 - 11:51 am

Era Berisha

Ceremonia përmbyllëse e Rolling Film Festival, që këtë vit ka shënuar edicionin e gjashtë me radhë duke dedikuar kështu 27 filma të realizuar nga dhe rreth romëve nga e gjithë bota që shpalosin traditën, kulturën, jetët e familjeve rome, realitetin dhe eksperiencat e vështira personale përgjatë jetës së tyre, duke hedhur dritë mbi antigjipsizmin që shkakton paragjykime dhe gjuhë të urrejtjes ndaj komunitetit rom, mbrëmë ishte rezervuar për ndarjen e çmimeve, gjë që ndodhi në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pasi të pranishmit zunë vendet e tyre dhe dritat u fikën tërësisht, ceremonia përmbyllëse hapi perden e saj të parë me filmin ‘District 8’ nga regjisori Aron Guader, që për bazë kishte dashurinë mes një djali cigan Richie dhe vajzës Julia, babai i së cilës ishte një vendas hungarez. Ndërsa, paratë ishin i vetmi problem kryesor që grindjet mes këtyre dy familjeve që dallonin nga aspekti i komuniteteve, të mbaronin. Prandaj, në zhanrin e animacionit, Richie së bashku me shoqërinë e tij, kthehet pas në kohën antike kur mamutët ekzistonin duke kthyer ata në një lloj të vajit që do të ndihmonte atë të bëhej i pasur në të ardhmen.

Komedia e këtij filmi që njëkohësisht barte një domethënie se si në të vërtetë njerëzit e shohin komunitetin rom dhe se si duken situatat e ndryshme nga jeta e përditshme e atij komuniteti, ishte një reflektim i vërtetë duke bërë që kuptimi i filmit të depërtonte jo vetëm tek mendjet e të pranishmëve por edhe në zemrat e tyre.

Pas shfaqjes së këtij filmi, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili mori fjalën në skenë duke u shprehur se ndjehej i nderuar që ishte prezent në një festival të tillë që promovon jetën, diversitetin dhe përvojat e përbashkëta të komunitetit rom kudo në botë.

“Më gëzon fakti që gjatë kësaj kohe të vështirë, ka pasur aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike. E çmoj lartë faktin se Rolling Film Festival është bërë ngjarje e rëndësishme në Kosovë përmes së cilës pasqyrohet jetesa e komunitetit rom në të gjitha aspektet duke mbështetur arti dhe kultura rome. Arsimi, punësimi dhe integrimi janë probleme për komunitetin rom e të cilat ne duhet ti zgjidhim së bashku”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, ky festival i filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar nevojat e komunitet rom por edhe për të ngritur ndërgjegjen që të krijohet një shoqëri që nuk përjashton sepse të gjithë jemi të barabartë pavarësisht origjinës dhe kulturës.

Ndërsa në këtë përmbyllje, drejtori ekzekutiv i Roma Versitas Kosovo, Avni Mustafa ka folur për nevojën që komuniteti rom të ndjehen të pranuar.

“Ka qenë një ëndërr e gjatë dhe tani më në fund është koha që të pranohet fakti se njerëzit romë janë të barabartë me të gjithë. Ata kanë të drejtë të fjalës dhe fuqi në formimin e vendimeve. Identiteti dhe kultura rome përfaqëson potencialin e fortë të njerëzve dhe ata duhet të kenë akses të njëjtë në edukim, kujdesin shëndetësor, energjinë elektrike dhe ujin”, u shpreh Mustafa.

Po ashtu, për të ndarë çmimin ‘Young Discovery Talent’, të pranishëm ishin drejtuesja e animacioneve të projekteve Flaka Kokolli dhe shefi i zyrës nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ‘Roma Integration’, Orhan Usein.

Dy çmime për dy pjesëmarrësit nga ‘workshop’, përfshijnë praktikë 1 mujore në kompaninë e animacionit ‘Flamorum’ që krijon filma të shkurtër të animuar, të sponsorizuar nga organizata ‘Roma Versitas Kosova’, u ndanë për Bledina Bytyqi dhe Ardijan Krasniqi.

Ndërsa krejt për fund u paralajmërua që edicioni i shtatë i Rolling Film Festival mendohet të mbahet nga 1 deri më 5 nëntor në vitin 2022. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme