Mes protestave të radikalëve, Festivali “Mirëdita, dobar dan” hapi programin artistik (FOTO)

31 Maj, 2018 - 11:30 am

Gili Hoxhaj – Beograd

Me dy orë pritje në kufirin Kosovë-Serbi e pa tri fotografi, ekipi prej organizatorëve, artistëve, gazetareve e studentëve arritën në kryeqytetin serb për të hapur mbrëmjen e parë të edicionit të pestë të festivalit që prezanton kulturën e Kosovës në Serbi, Festivali “Mirëdita, dobar dan”, shkruan KultPlus.

Pas shkuarjes atje ekipi nën përcjellje të forcave policore u nis drejt Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Para se të afroheshin minutat e hapjes së festivalit, numri i policëve veçse shtohej, e zërat protestues tashmë dëgjoheshin. Me këngë nacionaliste, e valëvitje flamujsh, ata këndonin për Kosovën të cilën e quanin “tokë” të Serbisë. Përkrahës të Partisë Radikale Serbe e rrethuan Vojslav Sheshelin, i cili theksonte mohimin e shtetit të Kosovës. Protestuesit me fotografi të kufomave, fotografi të Hashim Thaçit e Ramush Haradinaj kishin zënë njërën anë të rrugës e në anën tjetër gjendej turma më e madhe të cilët kishin vënë maska e veshje doktorësh ndërsa mbanin pankartat me mbishkrimet “Sa organe duhet të na merren për të pasur shoqëri me terroristët” dhe “Politikisht korrekt me trafikimin e organeve”.

Organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi u shpreh i brengosur për këtë situatë derisa tha se çdo vit kishte shpresuar që situata politike dhe raportet mes dy vendeve do të jenë më të relaksuara kurse faktet e tregojnë të kundërtën dhe situata vetëm sa po përkeqësohet. Megjithatë ai tha se nuk do të ndalen pasi që besojnë se ky festival ka vlera fisnike.

“Viti i pestë po fillon me tensione që nuk i kemi pasur më herët. Ne nuk do të ndalemi, kjo është një rrugë që na takon neve, secili e ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë”, u shpreh Koliqi gjatë hapjes së festivalit.


Sofija Todorović nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) u shpreh se ka qenë e vështirë të hapet ky festival tek që gjithçka ka qenë kundër kësaj ideje por u shpreh tejet e lumtur që kanë arritur kaq shumë njerëz.
Čedomir Jovanović, Anita Mitic e personalitet të tjera të njohura kanë mbushur plot Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, aty ku u zhvillua hapja e Festivalit.

Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita, dobar dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë. Mbrëmë në hapësirën e brendshme të Qendrës u prezantuan karikaturat e artistëve nga Kosova e Serbia, të cilat portretizonin figurat politike të Serbisë e Kosovës në raport me dialogun që po zhvillohet. Aty u prezantuan punimet e Murat Ahmetit, Mentor Llapashtices dhe Predrag Koraksic Corax e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Përfaqësuesja e projektit, Berna Caka nga Radio UrbanFm dhe INC- Rrjeti i Radiove Lokale u shpreh për KultPlus, se projekti i këtij viti flet për urat mes dy shteteve siç janë Kosova dhe Serbia.

“Në këtë mënyrë këta tre artistë kanë vendosur që ngjarjet reale t’i shprehin përmes karikaturave ato ngjarje që ndodhin në Kosovë dhe në Serbi, sidomos në politikë. Esenca ka qenë që të shprehen ngjarjet nga të dyja palët”, tregoi Caka për KultPlus.

Më pas salla e Qendrës për Dekontaminim Kulturor u mbush plot nga pjesëmarrësit e festivalit, të cilët u mblodhën për të parë filmin “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit, film ky që tashmë numëron disa çmime. Për më shumë se një orë të pranishmit ngulën sytë drejt ngjarjes së një dashurie në trekëndësh, e ngjarja ec para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin. Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.
Festivali “Mirëdita, dobardan!” 2018 do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme