14 Qershor, 2025 - 11:43 pm
Mbrëmja gala që u mbajt në kryeqytet këtë të premte, solli një atmosferë festivali, ku kryefjalë ishte kinematografia.
DEA OPEN AIR e përfundoi këtë edicion të dymbëdhjetë, duke ofruar sërish përvojë të re kulturore, si edhe duke vijuar të zgjerojë hartën e njohjes së kinemasë botërore.
Ky edicion, që u mbajt nga datat 9-13 qershor bëri bashkë të gjithë rreth kinemasë cilësore. Në konkurrim morën pjesë 34 filma nga 20 vende të botës.
’’Edhe ky edicion konfirmoi, se kinemaja serioze mbetet një nga mjetet më të fuqishme për të eksploruar, ndjerë dhe kuptuar vetveten. Kjo është arsyeja, përse DEA nuk ndjek trende – por investon te konsolidimi i profilit të vet, si festival i përmbajtjes dhe ndërton te besimi i shikuesit”, u shpreh drejtoresha Artistike e Festivalit, Mirela Oktrova, në hapje të ceremonisë
Drejtori i Festivalit, Edmond Topi, falenderoi të gjithë ata që mbështetën këtë organizim.
’’Kemi mbyllur një maratonë filmash, të cilët shpresojmë t’i keni shijuar. Unë i kam parë edhe më parë dhe si drejtor kisha sikleta të tjera, por shpresoj që ju t’i keni shijuar vërtetë. Nuk jam i fjalëve të gjata, por shpresoj të përjetoni njësoj edhe këtë mbrëmje, siç keni qenë gjatë këtyre ditëve prezent në shfaqjen e filmave’’, u shpreh drejtori Edmond Topi.
Filmi ’’Përkushtimi i Hasanit’’ (titulli në origjinal Commitment Hasan) me regji të Semih Kaplanoglu, Turqi 2021 mori Kupën DEA për Filmin më të mirë me Metrazh të Gjatë, me motivacionin për saktësi dhe mjeshtëri të lartë.
Filmi eksploron tema si pajtimi, falja dhe lidhja njerëzore me thellësi dhe përmbajtje. Në një peizazh që shndërrohet në pasqyrë të brendshme, filmi rrëfen një histori universale përmes pak personazheve të ndërtuar me nuancë dhe autenticitet.
Të nominuar në këtë kategori ishin edhe dy filma të tjerë ;
Mykaela Plotkin – Zonjushat, Brazil 2024
Igor Aleksov – Lena dhe Vladimiri – Maqedonia e Veriut 2023
Regjisori Semih Kaplanoglu ishte vetë i pranishëm në marrjen e Kupës DEA, ndërsa mes emocioneve dhe falenderimit për trofeun tha se, ndihej krenar që mori një çmim të rëndësishëm në një vend që është special për të.
’’U jam falenderues për jurinë, që më nderuan me çmim, por krahas nderimit ndjehem shumë i emocionuar, pasi unë jam nip i një gjysheje që ka lindur në Shqipëri dhe e ndiej deri në palcë këtë nderim që më bëtë. Çmimet janë të bukura, por shërbejnë edhe për motivim e rinojnë regjisorin. Unë jam 63 vjec dhe kjo më jep nxitje për të sjellë një gjë më të mirë, që mund të vlerësohet në të ardhmen . Sa mirë që ekzistoni, sa mirë që ekziston kinemaja dhe sa mirë që ekzistojnë festivale të tilla që na vlerësojnë’’, u shpreh regjisori fitues Semih Kaplanoglu
DEA OPEN AIR vlerësoi të njëjtin film turk edhe me kupën për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë.
Me motivacionin për regjinë e tij të rafinuar dhe thellësisht reflektuese, për saktësinë dhe përmbajtjen me të cilat e kthen thjeshtësinë në kinema të thellë regjisorin Kaplanoglu.
Umut Karadak i dha trofeun e tretë në këtë festival, filmit me të njëjtin titull për vërtetësinë e thellë në portretizimin e Hasan-it — një interpretim që përqafon pa frikë ambiguitetet e jetës dhe kontradiktat e qenies njerëzore. Ky çmim u dorëzua nga Drejtor i Teatrit Kombetar, Indrit Cobani
Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Niccolo Castelli (kryetar – Zvicër), Luiza Xhuvani (anëtare – Shipëri), Claudio Bucci (anëtar – Itali), Fatos Berisha (anëtar – Kosovë), Nikos Moustakas (anëtar – Greqi).
Si simbole të respektit për kontributet e individualiteteve të shquara të ekranit DEA OPEN AIR nderoi kujtimin e të madhes Margarita Xhepa, ndërsa çmimin e mori në dorëzim i biri, aktori gjithashtu i njohur Ndriçim Xhepa. Dy muaj pas kalimit në amshim, filmi i fundit ku interpretoi ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, është “Vdekja le të presë”. Një film ky përshëndetës, në çelje të festivalit që erdhi si homazh për Margarita Xhepa.
’’Ja që vjen një moment dhe detyrohesh. Një kënaqësi të tillë, në këtë rast ime më do ta kishte marr vetë, por ja që gjithcka e ka një fund në jetë. Me kënaqësi do ta çoj në shtëpinë e saj këtë statujë. Falenderoj edhe pjesëmarrësit për reagimin. Në respekt të dy festivalbërësve, që e kanë ideuar këtë festival, e bëjnë për 12 vite edhe do t’i uroja shumë e shumë vite të tjera. Ju falenderoj për këtë respekt që përcillni për karrierën 70-vjeçare të Margaritës’’, tha Ndriçim Xhepa.
Një tjetër çmim ishte edhe DEA e Karrierës ose siç organizatorët e këtij fesuivali e kanë emërtuar, DEA e Mirënjohjes, i cili sivjet shkoi për jetën artistike dhe veprimtarinë e një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare regjisorin Saimir Kumbaro.
Juria e festivalit akordoi Çmimin Special, një përmendje të veçantë skenarit të filmit ’’Këtu vallezohet me hijet’’ të Pluton Vasit, me skenar të Bashkim Hoxhës, për guximin në përballjen me një kapitull kompleks dhe të dhimbshëm të historisë shqiptare, me thellësi dhe sinqeritet. Një histori që spikat për ndershmërinë e këndvështrimit dhe përkushtimin për të rikthyer kujtesën dhe humanizmin përmes rrëfimit.
Me Senhoritas/Zonjushat, Mykaela Plotkin fitoi Kupën DEA për Skenarin më të Mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë. Ajo i qaset një teme rrallëherë të trajtuar me ndjeshmëri dhe guxim: kënaqësisë, dëshirës dhe dashurisë në moshën e tretë. Plotkin dërgoi një video përshëndetëse për festivalin.
Filmat konkurrues në programin e Filmit të shkurtër dhe Filmit me Metrazh të Gjatë i vlerëson nga ky këndvështrim tradicionalisht Juria e medias, e përbërë sivjet nga: Alda Bida (kryetare), Ermal Peci (anëtar), Juljana Vrapi dhe Egla Xhemalaj (anëtare). Juria e Medias ndau dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë.
Çmimi Special i Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër dhe motivacioni i tij shkoi për ’’Dhe kjo është për këtë Krishtlindje’’ me regji të Peter Vulchev, Bullgari 2024. Me motivacionin për një narrativë të ndjeshme dhe fokusim te vlerat e solidaritetit.
Ndërsa Çmimi Special i Medias në Konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë dhe motivacioni përkatës shkoi për ’’Këtu vallëzohet me hijet’’ nga Pluton Vasi, Shqipëri 2024. Ky film u vlerësua si një akt angazhimi qytetar që merr përsipër të hedhë dritv mbi pasojat e represionit të diktaturës. Çmimin e mori vetë regjisori i pranishën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve:
’’Kënaqësi për mua, falenderimi i veçantë për organizatorët. Për mua ishte një kthim në inocensë. Janë emocione të rralla, pasi këtu në këto ambjente kemi marr fillimet e para të profesionit. Një përmendore të jashtëzakonshme për pedagogët tanë’’, u shpreh regjisori Vasi
Nga vlerësimet e jurisë organizatorët e Festivalit ndanë Çmimin Special të Publikut/Audiencës – vleresim, qe rezulton nga klikimet dhe mesazhet ne llogarite zyrtare te festivalit si edhe nga vlersimet e publikut, e ka ndjekur shfaqjet e filmave ne kinema.
Me këtë çmim publiku vlerësoi aktorin Karafil Shena, në rolin kompleks të Zigurit – ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe njëherësh baba i një gazetareje që përpiqet të ndriçojë të kaluarën, në filmin ’’Këtu vallëzohet me yjet’’. Në emër të organizatorëve, vendimin e kësaj here e zbuloi Drejtori i Programit të Filmit me Metrazh të Gjatë, Genc Përmeti.
Kupa Dea për Kamerën më të Mirë iu dha Aleksandar Rusjakovit, drejtor fotografie i filmit ’’Lena dhe Vladimiri’’ me regji të Igor Aleksovit, për një punë vizuale që na lejon të ndjejmë emocionet e personazheve dhe pothuajse të nuhasim vendet ku ata jetojnë.
Gjithashtu ky film u vlerësua me Kupën DEA për aktoren më të mirë në filmin me metrazh të gjatë akorduar Sara Klimoska, për aftësinë për të sjellë në jetë një personazh me intensitet dhe vërtetësi. me këtë performancë, ajo konfirmohet si një nga zërat më premtues jo vetëm në kinemanë ballkanike, por edhe më gjerë.
Programi i Filmit të Shkurtër në DEA OPEN AIR 2025 Solli një mozaik rrëfimesh të thella dhe të larmishme, ku ndërthuren trauma personale, sfida sociale dhe momente të papritura ndërgjegjësimi. Temat që dominuan ishin humbja, padrejtësia, shtypja, identiteti dhe dashuria.
Në kategorinë, Filmi i Shkurtër më i Mirë, i përzgjedhur në 14 filma të Shkurtër nga 12 vende të botës, mes tre te nominuarve çmimi shkoi për ’’Sara’’ me regji të Ariana Andrade Castro, Spanjë–Peru, 2024. Me motivacionin për atmosferën e ndërtuar me ndjeshmëri të thellë, për regjinë e rafinuar dhe gjetjet e bukura vizuale, për mënyrën si drama ndërthuret me poezi filmike, trishtim dhe reflektim njerëzor,
Festivali ka prej kohësh në traditën e vet inkurajimin e kineastëve të rinj në rrugën jo fort të lehtë të krijimit kinematografik. Këtij synimi i shërben edhe Çmimi Inkurajues.
Drejtorja e Programit të Filmit të Shkurtër, Ajola Daja zbuloi çmimin që shkoi për Granit Dragaj – “Shkëmbim” – Kosovë 2022 me motivacionin e një gjuhë të pastër kinematografike dhe me një qasje të sinqertë, filmi na kujton rolin që kinemaja mund të luajë për të promovuar humanizmin dhe empatinë, ku përmes syve të një fëmije, ai na fton të shohim botën me më shumë mirësi.
Mbrëmja e ndarjes së çmimeve rezervoi të tjera vlerësime edhe për konkurimet në Seksionet e Filmit Studentor dhe Filmit të Shkurtër, seksionet me aplikimet më të shumta në të gjithë këto dymbëdhjetë vjet të rrugëtimit të DEA-s. Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit Studentor e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Andriana Vickovic (kryetare – Kroaci), Lulzim Zeqja (anëtar – Shqipëri), Ben Apolloni (anëtar – Kosovë).
Në këtë edicion, u bënë pjesë 13 filma nga 9 vende të botës, ndër të cilët: Shqipëria, Irani, Korea e Jugut, Bullgaria, Spanja, Italia, Kili dhe Rusia, shqetësimi kryesor i të cilëve mbetet raporti i njeriut me botën përreth apo i individit me komunitetin.
Ben Apolloni një nga anëtaërt e jurisë zbuloi emrin e Matteo Giampetruzzi nga Italia fitues me oferëtn filmike ’’Lum ata që janë të pastër në zemër’’ një film ky i vitit 2023.
Sivjet, juria, kishte vendosur të “përmendë në mënyrë të veçantë” edhe një konkurrues tjetër, me dëshirën për ta vlerësuar atë në mënyrë inkurajuese dhe ai është Mauro Zaçes. Një çmim i veçantë ky për filmin “Shtigje” që spikat për ndërtimin e qëndrueshëm dramaturgjik dhe për një regji të pastër, të qartë dhe të përmbajtur.
Edicioni i 12-të i DEA OPEN AIR – Tirana 2025 – përputhur me moton “Kinemaja si integritet” konfirmoi edhe një herë vlerën e kinemasë si formë reflektimi dhe rrëfimi me integritet.
Me falenderimin për mbështetjen dhe kthimin sërish vitin e ardhshëm Mirela Oktrova, drejtoresha artistike e DEA OPEN AIR e deklaroi të mbyllur Edicionin e dymbëdhjetë DEA – International Film Festival – Tiranë 2025.
Nën tingujt e kuartetit të harqeve, në skenë u ngjitën të gjithë pjesëmarrësit për foton tradicionale përmbyllëse./atsh/ KultPlus.com