Në “Dea Open Air 6”, publiku vlerësoi filmin arbresh “Arbëria”

9 Maj, 2019 - 5:20 pm

Në “Dea Open Air 6” çmimi i publikut shkoi për një film ndryshe, të parin në gjuhën arbëreshe dhe që quhet “Arbëria”.

Regjisorja e re kalabreze Francesca Olivieri, deshi t’i sjellë publikut një film që heton lidhjet e forta të trashëgimisë kulturore të komuniteteve arbëreshe që ende mbijetojnë në disa fshatra të Kalabrisë.

Filmi trajton, nëpërmjet protagonistes Aidës, një kulturë që rrezikon të zhduket në peshën e një kulture globale homologe.

“Është i pari film fiction në gjuhën arbëreshe. U  ndjemë të mirëpritur. Fituam çmimin e publikut dhe jemi shumë të lumtur të kthehemi në Itali me të. Për ne ishte një etapë thelbësore për shpërndarjen e filmit , që shpresojmë që së shpejti të shihet në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit”, tha regjisorja Francesca Olivieri.

Konflikti i vjetër sa jeta mes traditës dhe modernitetit bëhet e dukshme në një zonë gjeografike dhe sentimentale, në atë të Arbërisë, e cila në fakt nuk ekziston. Dhe për prodhuesit ky film nuk ka qenë një ndërmarrje e lehtë.

“Vështirësia më e madhe ishte të rikuperonim historinë, sepse arbëreshët e Italisë kanë qenë për shumë kohë të harruar. Filmi kërkoi të rikuperojë identitetin e tyre. Të ngjallë pasionin e për origjinën e tyre shqiptare”, u shpreh producenti Francesco Mollo.

Filmi do të ketë rrugëtimin në festival të tjera, duke e njohur publikun, jo vetëm me Kalabrinë, por edhe me realitetin e kinemasë kalabreze./KultPlus.com

Të ngjajshme