Në një ambient me shumë artdashës, përkujtohet artisti që nuk vdes kurrë, Faruk Begolli

23 Gusht, 2022 - 2:17 pm

Në 15-vjetorin e vdekjes u përkujtua aktori i njohur i filmit dhe teatrit, Faruk Begolli.

Në një mjedis me shumë artdashës vepra, jeta dhe kontributi i Faruk Begollit u cilësuan tejet të rëndësishme për filmin dhe teatrin në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë këshilltari i ministrit të MKRS-së, Liburn Jupolli, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, regjisorë të filmave dhe aktorë.

Këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli në fjalën e tij ka thënë se Faruk Begolli ishte një prej figurave qendrore të zhvillimit të profilit të aktrimit, teatrit dhe kinematografisë në Kosovë, duke theksuar se ai ishte personalitet që dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsim për brezat e rinj.

Aktori Faruk Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd. Ai ishte bashkëthemelues i Degës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës si dhe bashkëthemelues i Teatrit “Dodona” në Prishtinë. Jeta e tij artistike ishte mjaft e pasur me role, kishte luajtur në më shumë se 60 filma.

Në oborrin e Ministrisë së Kulturës sot deri në orën 24:00 do të shfaqen filma në të cilët ka luajtur aktori Faruk Begolli. /KultPlus.com

Të ngjajshme