Në Prishtinë, homazh për aktoren franceze Jeanne Moreau

10 Gusht, 2017 - 12:45 pm

Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Ambasada e Francës, sonte do të shfaqë filmin “Jules dhe Jim” (François Truffaut, 1961) , në ora 20:00 në Aleancën Franceze në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Filmi do të shfaqet në gjuhë frënge me titra në gjuhën shqipe. Ndërkohë, ky rast do të jetë një mundësi homazhi për aktoren Jeanne Moreau, e cila ka ndërruar jetë më 31 korrik, 2017.

Jeanne Moreau, artiste e madhe franceze, ka luajtur në më shumë se 100 filma dhe ka marrë çmime të shumta.

Filmi zhvillohet në Paris, para Luftës së Parë Botërore. Jim, një francez, dhe Jules, një austriak, janë miq të pandashëm. Ata bien në dashuri me të njëjtën grua, Catherine, por ajo vendos të martohet me Jules.
Pas luftës, Jim i bashkëngjitet çiftit në Austri. Catherine pranon se nuk është e lumtur me Jules, i cili pranon që gruaja e tij të këtë të dashur Jim. Por Catherine është përjetësisht e pakënaqur dhe gjithnjë ndryshon mendjen për zgjedhjen e saj në dashuri./KultPlus.com

Të ngjajshme