“Në Pritje”, një dhimbje e dyfishtë e nënave kosovare (VIDEO)

9 Gusht, 2018 - 11:30 am

Alberina Haxhijaj – Prizren

Laura Kajtazi Testa e cila është regjisore por edhe psikologe ka ndërlidhur më së miri dy profesionet e saj në dokumentarin e titulluar “Në Pritje”, i cili pati premierën në kuadër të DokuFest-it, shkruan KultPlus.

Dhembja të cilën e ndjenjë nënat që kanë humbur fëmijët e tyre gjatë luftës, nuk duhet që ta harrojmë asnjëherë, kjo pasi që humbja e tyre konsiderohet një humbje e dyfishtë.

Këtë ka dashur që ta sjellë edhe regjisorja Laura Kajtazi Testa në filmin e saj të parë si regjisore përmes dokumentimit të historive të 5 grave, të cilat i kanë humbur anëtarët meshkuj të familjeve të tyre gjatë luftës në Kosovë dhe kanë vuajtur me vite kërkimin me ankth për eshtrat e tyre.

Ajo në një intervistë për KutPlus, tregoi se shumë faktorë kanë ndikuar në realizimin e këtij dokumentari i cili në një formë ka ardhur si rezultat i punës së mëhershme që ajo ka bërë.

Waiting Still Trailer (short documentary film) from waitingstill.com on Vimeo.

“Së pari gjatë luftës dhe pas saj, unë kam punuar me shumë gazetarë ndërkombëtar ku kam pas rastin të shoh shumë trauma nëpër të cilat kanë kaluar shumë nëna, vajza e motra. Këto pothuajse ishin viktima të cilat vuanin në heshtje për arsye të ndryshme. Kjo më shtyu që pas luftës dhe si pjesw e hulumtimeve master të bisedoj me shumë nëna të cilat kanë humbur fëmijët e tyre gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh ajo.

Rezultatet e hulumtimit të realizuara nga Laura Kajtazi Tresta janë botuar në fillim të këtij viti edhe në: http://journals.sagepub.com/eprint/q3A2QCmMenFudt8ziedD/full .

E në mesin e të gjeturave, diçka që reflektohet edhe në film është ankthi që përjetojnë këto nëna në baza ditore.

“Gjatë këtij hulumtimi kam parë se në mungesë të provave absolute, gjetja e mbetjeve mortore te të dashurve të tyre bëhet preokupim kryesor ku rezultatet sugjeruan se këto nëna jetojnë në gjendje të përhershme të ankthit psikologjik. Kështu vendosëm që të mundohemi të dokumentojmë këtë ankth të cilin këto nëna e përjetojnë pothuajse në baza ditore në kohën ku shumica prej nesh jemi rimëkëmbur nga pasojat e luftës”, theksoi ajo.

Ky projekt ka qenë i pavarur dhe i vetëfinancuar duke e bërë për regjisoren sfiduese realizimin e tij. Xhirimet janë bërë në Kosovë dhe në Amerikë kurse post produksioni dhe editimi është bërë në Kanada nga Afrim Maloku.

Filmi vë në pah se nënat pas rrëmbimit të anëtarëve të familjes së tyre, kanë vazhduar një kërkim intensiv. Ato vazhdimisht presin lajme për anëtarët e familjeve të tyre, për t’i dhënë fund kësaj pasigurie dhe përgjigje dhjetëra pyetjeve që ngrihen në mendjen e tyre në lidhje me ekzistencën dhe gjendjen e fëmijëve të tyre.

“Të dëgjosh të gjitha këto përvoja dhe pamundësia që të ndihmosh në ndonjë mënyrë ka qenë mjaft e vështirë për mua”, ka theksuar regjisorja.

“Në Pritje” sigurisht i ndërlidhur edhe me temën e sivjetshme të DokuFest-it kërkon që shikuesit të reflektojnë mbi gjithë atë që është paraqitur. Për regjisoren diçka që duhet reflektuar gjatë shikimit të këtij dokumentari është që të mos harrohet e kaluara.

“Si reflektim personal për mua është që shoqëria duhet të ec përpara mirëpo duke shikuar përpara në asnjë moment nuk guxon ta harroj të kaluarën dhe nuk guxon të lejë gjerat të mbesin të pazgjedhura sepse siç edhe thotë Paulline Boss në fund të dokumentarit, ‘Çdoherë kur ndodh gjenocidi kudo në botë dhe për atë arsye njerëzit rrëmbehen apo zhduken, shoqëria dobësohet dhe gjenerata e ardhshme mbetet e dobësuar””, u shpreh regjisorja për KultPlus.

Në dokumentar janë përfshirë: Nesrete Kumnova, Ferdeze Efendija, Fatime Qerkini, Tahire Aruqi, Ferdonije Qerkezi dhe Dr. Pauline Boss. / KultPlus.com

Të ngjajshme