Nëntë vjet pa Bekim Fehmiun

15 Qershor, 2019 - 9:02 am

Më 1 Qershor të vitit 1936, u lind në Sarajevë, i mbështjellë me pëlhurë, që thonë se ashtu lindin njerëzit me fat. Më 1939 u transferua në Shkodër, kurse kah mesi i vitit 1941 në Prizren. Si nxënës i gjimnazit të Prizrenit i bëri hapat e parë të aktrimit në Shoqërinë “Agimi” dhe Teatrin e qytetit, kurse më 1955 u pranua si aktor profesional në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë.


Ëndërronte të bëhej aktor i madh dhe i njohur në botë, prandaj në vjeshtë të vitit 1956, pas dhënies së provimit pranues, regjistrohet në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, në klasën e profesorit Mata Millosheviq, ku diplomon më 1960, me notën më të lartë dhe bëhet aktori i pare shqiptar me akademi.
Menjëherë u pranua në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd, ku në një konkurrencë tejet të madhe nuk ishte lehtë që një shqiptar të fitonte role të mëdha, por edhe ato dytësore që i luante, shquhej me talentin e tij të rrallë. Rolet e personazheve më të njohura të dramave: Hamletin, Riçadrin e tretë, Otelon, etj…i luante në banesë, vetëm, pa publik.

Roli i romit ‘Beli Bora’, në filmin “Mbledhësit e puplave”, në festivalin e Kanës, më 1967, i nominuar edhe për Çmimin “Oskar”, ia hapi dyert e kinematografisë botërore, kurse seriali televiziv ODISEU (1968) e bëri të famshëm, për çka edhe kërkohej nga regjisorë e producentë të njohur në filmat e të cilëve luajti role kryesore bashkë me aktorë më të mëdhenj të filmit. Ishte aktori i pare që e shpërtheu perden e hekurt të diktaturës komuniste të Evropës Lindore, dhe luajti në shumë filma e seriale televizive. Aktori në shumë gjuhë në ish republikat jugosllave, Itali (ku ishte më i njohur), SHBA, Gjermani, Francë, Çekosllovaki, Tunizi… Ndërsa filmat e tij u shfaqen në të gjitha kontinentet dhe të titulluar në gjuhë të ndryshme.

E arriti kulmin në profesion dhe u bë njëri nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të filmit në shekullin XX, me përmasa botërore. Por nuk aktroi në shqip që mbeti ëndrra e tij e parealizuar.
Kishte jetë të Odiseut. E luajti aktin e fundit të dramës që quhet JETË, (15.06.2010) por prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte ai vet!!!
Dhe serish u kthye në Prizren, prej nga u mis në vjeshtën e vitit 1956, në urnën me hirin e trupit që, sipas dëshirës së tij, të hidhet në lumin Bistricë, përmes tij do të derdhej në Drin e Bunë dhe të arrijë në Detin Adriatik, dhe detet e oqeanet tjera të botës… ODISEU iu kthye Itakës: UJIT, DHEUT dhe QIELLIT të PRIZRENIT të cilin e ka dashur aq shumë, por ai nuk ia ktheu këtë dashuri…
Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh…

Mbeti HESHTJA me të cilën BEKIMI ka jetuar gjatë 20 viteve të fundit. Dhe kujtimi i amshueshëm por edhe injorimi i çuditshëm, që vazhdon t’i bëhet atij nga pushtetet e nivelit lokal e qendror të Kosovës, edhe në këtë vit jubilar! Shqiptarët ta falin çdo gjë, por suksesin JO.
Të vetin e vrasin dy herë (të gjallë e të vdekur), kurse të huajin e lartësojnë në majat më të larta!

Por shkëlqimi i figurës dhe veprës së Bekimit nuk do të zbehet kurrë. Bekim Fehmiu ka vdekw pikwrisht më 15 qershor, para nëntë viteve në Beograd./KultPlus.com

Të ngjajshme