Nicholas Brendon: Është mirë të jesh në një shtet që e do Amerikën më shumë se sa vet amerikanët

12 Nëntor, 2018 - 8:26 pm

Gili Hoxhaj

Aktori i njohur amerikan Nicholas Brendon ka ardhur sot për herë të parë në Kosovë për të qenë pjesë e xhirimeve të filmit “Sunrise”, i cili trajton përballjen me pasojat e luftës në mes Kosovës e Serbisë, shkruan KultPlus.

Në konferencë u bë e ditur se Nicholas Brendo është shprehur i gatshëm të luaj edhe në pjesën e dytë të filmit “Sunrise” që vjen në forma të serialit. Filmi “Sunrise” vjen me skenar të Alban Makollit e regji të Krenar Belegut, kurse producent i filmit është Shkumbin Sopjani, ndërsa krahas aktorëve shqiptarë, aty do të luajnë edhe aktorë serb, emrat e të cilëve nuk janë publikuar ende.

Aktori i njohur amerikan Nicholas Brendon që vjen në Kosovë për herë të parë për të realizuar këtë film, tha se që nga ardhja këtu ka ndjerë pikëllim dhe shpresë në të njëjtën kohë. Ai do të kthehet në Kosovë për të realizuar edhe pjesën e dytë të filmit, ndërsa theksoi se nuk e ka ndërmend të zhytet në rol pasi që do ta ruaj mirëqenien e tij.

“Është këndshëm, njerëzit janë të mirë. E pata një ndjenjë pikëllimi kur erdha por edhe shprese në të njëjtën kohë.
Është mirë të jesh në një shtet të tillë. E dua Amerikën, por nuk jam fans i presidentit tonë të tanishëm dhe krejt çka po ndodh. Por është mirë të jesh me një shtet që e do Amerikën më shumë sesa vet amerikanët. Nuk jam mësuar me këtë. Kam pesë javë që udhëtojë nëpër Evropë ku flas shumë për depresionin. Dikush më tha, nëse shkon në Itali për shembull, thuaj se je kanadez. Ka shumë urrejtje për amerikanët tani dhe e kuptoj përse”, tregoi Brendon për përshtypjet e tij të para në Kosovë, pas udhëtimit disa javorë në Evropë.

Duke qenë se filmi shtjellon rrethanat e luftës, njohuritë që Nicholas Brendon ka pasur për luftën në Kosovë, thotë se e kanë ndihmuar shumë në këtë proces.

“Fakti që kam ditur për luftën e ka pasur ndikimin e vet në këtë proces. Nuk do të zhytem thellë në rol sepse kujdesem për mirëqenien time. Është më e lehtë ta bësh këtë kur rol ke një agjent të CIA-s. Me vetë CIA-n disi kur e portretizon është një lloj sekreti, që nuk do të ketë nevojë të futem thellë në rol. Në këtë formë është me e lehtë për mua. Por vetëm të qenurit këtu për mua është mjaftueshëm”, u shpreh Brendon.

Nicholas Brendon është një aktor dhe shkrimtar amerikan. Ai njihet veçmas për rolin e Xander Harris në serialin televiziv Buffy the Vampire Slayer (1997-2003) dhe Kevin Lynch në Criminal Minds (2007-2014). Që nga viti 2014 ai ka shkruar në librin Buffy Season./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=lf1uFXQTMOQ&fbclid=IwAR0RHicgS6gYMP7kCsC8ePodDvFCuLY6dhVo9Qf4qwmn70Tb-yag2mVBxUE

Të ngjajshme