Nis rikonstruksioni i kinemasë së Gjirokastrës, Golemi: I japim qytetit atë që meriton

8 Gusht, 2023 - 4:00 pm

Gjirokastra do të ketë së shpejti një kinema konform të gjitha standardeve, që pritet t’i japë tjetër hov jetës kulturore në qytetin e gurtë.

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi bëri të ditur sot se “tashmë ka marrë jetë projekti më i ri në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë për rikonstruksionin e kinemasë së Gjirokastrës”.

“Është radha t’i japim qytetit, kinemanë që meriton”, u shpreh ai, ndërsa ndau në rrjetet sociale fotot nga ky kantier punimesh.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi nënshkroi në dhjetor 2022 kontratën për rikonstruksionin e kinemasë së Gjirokastrës me Agjencinë Kombëtare të Rinisë.

Nënshkrimi i kontratës erdhi pas fitimit të granteve nga Thirrja e dytë për Projektpropozime Rinore, që financohet me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Rinisë AKR.

Fitues të granteve të Thirrjes se dytë për Projektpropozime Rinore, ishin edhe bashkitë Durrës, Dibër, Lushnjë dhe Kamzë.

Vitin e kaluar në qytetin e gurtë përfunduan punimet edhe për rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”. Tashmë mozaikut të institucioneve kultutore në qytetin e gurtë pritet t’i shtohet edhe kinemaja e rikonstruktuar, duke i dhënë hov jetës artistike në Gjirokastër./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme