9 Gusht, 2018 - 3:00 pm
Alberina Haxhijaj – Prizren
Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi dokumentari “Një histori e vërtetë” nga Viron Roboci. Filmi solli Shqipërinë gjatë diktaturës, parë përmes historisë së një familje, gjykuar për vrasjen që nuk e bënë kurrë, shkruan KultPlus.
Shkurorëzimi i një vajze të re që nuk pranohet mirë dhe zhdukja e saj e papritur, nxit autoritetet që katër vjet më pas të hapin një rast, duke kërkuar vrasësit. Peripecitë, torturat, presioni i pafund në dhomat e marrjes në pyetje dhe vuajtja e anëtarëve të familjes të cilët në vend që ti mohojnë akuzat, përpiqen ti tregojnë vetes së tyre se janë “autorët e vrasjes”, i bën ata të përshkruajnë në detaje vrasjen që nuk ekziston.
Kjo histori e cila zë vend në Shqipërinë e vitit 1950, i ka lënë mbresa skenaristit dhe regjisorit Viron Roboci që në momentin e parë kur ai e dëgjoi.
“Më ka lënë përshtypje kjo histori që në momentin e parë dhe kam shfletuar edhe dosjet e Bashkisë për këtë ngjarje. Edhe në dokumentet reale është pak a shumë e njëjta gjë. Këtu e kemi kuptohet edhe pjesë e fiksionuar, aty ku ne e kemi parë të nevojshme, në mënyrë që ngjarja të jetë e kapshme edhe për audiencën e sotshme”, u shpreh ai.
E veçanta e këtij dokumentari sipas regjisorit është përshkrimi i detajuar i një krimi dhe pyetja e cila e preokupon shikuesin gjatë gjithë filmit – Cila është e vërteta e kësaj historie?
“Dokumentari është një histori e cila flet për totalitarizmin në tersi. Kemi zgjedhur një rast shumë të rrallë pasi që diskutojmë në detaje për përshkrimin e një krimi i cili nuk ka ndodhur kurrë, përshkruar nga vet autorët hipotetikë pas presionit që kishin pasur”, tregon ai.
Pasi që dokumentari është i lidhur me materialet historike të asaj kohe regjisori Roboci, në premierën e dokumentarit në Kosovë, u shpreh se i kanë kushtuar një kujdes të veçantë edhe gjuhës që është përdorur në film.
“Jemi përpjekur të kujtojmë një gjuhë filmike disi historike, pra goxha klasike dhe ndryshe nga ajo që zakonisht shohim”, theksoi ai.
Dokumentari edhe pse i bazuar në ngjarje të vërtet, është vështirë i besueshëm në një shoqëri normale. Prandaj edhe sjellë emocione interesante te shikuesit dhe nxit reflektimin e tyre rreth të drejtave të njeriut dhe respektimin e tyre.
“A true Story” do të shfaqet edhe nesër në kuadër të DokuFest-it duke filluar nga ora 22:00 në Kino n’lum. / KultPlus.com