7 Gusht, 2025 - 9:00 am
Brenda programit të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, edhe këtë vit është krijuar një hapësirë e dedikuar posaçërisht për më të vegjlit, DokuKids. Ky program ofron një përvojë unike që kombinon krijimtarinë, edukimin dhe argëtimin përmes filmit, artit dhe lojës.
DokuKids ka për qëllim të frymëzojë fëmijët që në moshë të hershme, duke i angazhuar ata në aktivitete që nxisin mendimin kritik, imagjinatën dhe shprehjen e lirë artistike. Gjatë ditëve të festivalit, kjo platformë shndërrohet në një botë plot ngjyra, ide dhe energji, ku fëmijët janë në qendër të vëmendjes.
Fëmijët që marrin pjesë në DokuKids ndihen të përfshirë dhe të motivuar nga përvoja që përjetojnë.
Programi njëjavor i DokuKids përfshin punëtori artistike e krijuese, shfaqje filmash, lojëra dhe improvizime të ndryshme.
“Programi jonë është njëjavor, pra fillon prej ditës së dytë të festivalit dhe mbaron në ditën e parafundit të festivalit. Pra për një javë e kemi një program shumë të pasur që enkas e kurojmë për fëmijët”, shpjegon Malborja Krajku, kuratore dhe koordinatore e DokuKids.
Nga viti në vit, kjo pjesë e festivalit është bërë e pandashme nga vetë identiteti i DokuFest-it, duke u kthyer në një platformë të rëndësishme për edukimin kulturor të fëmijëve.
Prindërit e shohin këtë nismë si një mundësi të vlefshme për fëmijët që të mësojnë dhe argëtohen jashtë rutinës së përditshme.
DokuKids është më shumë se një program, është një hapësirë ku edukimi dhe krijimtaria bashkohen, ku fëmijët shndërrohen në krijues të vegjël që mësojnë përmes përvojës, ndërtojnë vetëbesim dhe shprehin lirshëm botën e tyre të brendshme./KultPlus.com