Një jetë përkrah yllit botëror Bekim Fehmiu, Petriq për “Zgjoi”: Yllka Gashi dhe Blerta Basholli punuan aq bukur

29 Maj, 2022 - 11:03 pm

Era Berisha

Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endžio HAB’ si dhe është shfaqur filmi tejet i sukseshëm “Zgjoi” nën regjinë e Blerta Bashollit. Dje, këto dy aktivitete shënuan edhe përfundimin e edicionit të nëntë të këtij festivali i cili u mbajt në Beograd tash e disa ditë, shkruan KultPlus.

Për të diskutuar rreth debatit “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”, nën moderimin e zyrtarit për komunikim në BE, Filip Lukić, pjesëmarrësit në panel si: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Ymeri, folën rreth perceptimeve dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidhur me pushtimin e Ukrainës.

Tema e luftës në Ukrainë shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende prezente në rajonin tonë”, kjo do të ishte ajo pjesa me të cilën u përmbyll ky debat.

Por fillimisht, diskutimin e nisi reporterja Sonja Biserka e cila theksoi se data 24 shkurt nuk është një incident por luftë e planifikuar.

“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror.

“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shpalos Biserka.

Ndërsa, politikani Visar Ymeri ka thënë se një prej qëllimeve të luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.

Sipas tij, në njërën anë, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-në dhe intervenimin në Kosovë.

“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.

Po ashtu, gazetari Idro Seferi përmendi bombardimet e NATO-s si dhe theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.

Sipas tij, nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, thotë ai.

Gjithashtu, gazetari dhe publicisti Boris Varga ka folur rreth se si lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.

Kështu, në ditën e tretë si dhe njëkohësisht të fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në Arkivin e filmit jugosllav.

Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) ishte ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt.

Ajo po ashtu, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.

Me sallën e mbushur plot, të pranishmit shikuan dhe dëgjuan të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë.

Përgjatë gjithë filmit, sytë e të pranishmëve dukshëm ishin të ngulitur tek ekrani i madh, nëpërmjet së cilit u shfaq puna e mrekullueshme e regjisores Blerta Basholli e cila frikën, brengën e shpresën i ngërtheu në një fuqi të vetme. Këto emocione të paraqitura në film ngjallën edhe emocione të shumta në publik. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte dhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.

Ishin duartrokitjet e gjata, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta ato të cilat u lëshuan menjëherë qysh kur filmi shënoi fundin.

Filmi “Zgjoi” është filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit. “Zgjoi” ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Ndërkaq, kujtojmë se premiera e filmit në Prishtinë u shfaq më 24 gusht të vitit 2021.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Pas shfaqjes së filmit në Beograd, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.

“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.

Aktorja Branka Petriq

Kurse, për KultPlus foli aktorja Branka Petriq që njëkohësisht është edhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Ajo e vlerësoi lartë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi si dhe regjisores Blerta Basholli.

“E pashë filmin dhe u gëzova shumë sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bënë atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur sepse isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit.”

Edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” krejt në fund u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e “Mirëdita, dobar dan!”. Përmes festivalit, vizitorët patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme