‘Një muaj’, melodia e Muharrem Qenës dhe gruaja e verbër në mëshirë të fatit

10 Gusht, 2018 - 2:31 pm

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të këtij edicioni të Festivalit DokuFest është dhënë premiera kombëtare e filmit “A month” me regji nga Zgjim Terziqi, shkruan KultPlus.

Zgjim Terziqi ka qenë duke shkruar një skenar krejtësisht tjetër para se t’ia fillonte realizimit të filmit “Një muaj”.

Mirëpo tregimi i vërtetë i një gruaje të verbër pa shtëpi, që jeton me paktin e katër motrave të saj për ta mbajtur atë në shtëpitë e tyre përkatëse nga një muaj secila, ka zgjuar kureshtjen e tij si regjisor. Dëshira për ta parë këtë histori në ekran solli edhe filmin e tij “Një muaj”.

Filmi tregon jetën e Anës, një e verbër e cila çdo muaj ndërron shtëpinë, duke vizituar herë njërën motër e herë tjetrën, disa prej të cilave nuk është se shfaqin dashuri dhe interes për të. E Ana në pamundësi për tu kujdesur për veten shihet duke ua dorëzuar motrave nga 120 euro nga asistenca e saj për kujdesin që i ofrojnë.

“Në momentin kur e kam dëgjuar këtë rrëfim kam menduar se kisha pas dëshirë me e pa si film dhe kur diçka kam dëshirë me e pa atëherë nëse nuk e ka bo dikush tjetër duhet me e bo unë”, thekson regjisorin Terziqi.
Ana (Makfire Miftari) është një person i qetë dhe e cila nuk flet shumë, ajo qetësinë e gjen duke dëgjuar radion, ndërsa shpirti i saj i dëlirë ndriçon kur në të dëgjon këngën “A thua”, nga Muharrem Qena. Kjo këngën çdo herë zgjon emocione te Ana, diçka të tillë mund të shohim kur ajo së bashku me motrën e saj Ajshen (May-Linda Kosumovic), këndojnë në veturë këtë këngë pasi që radioja e Anës është dëmtuar.

Ajshja është motra e vogël e cila bart një dashuri shumë të madhe për Anën dhe është njëkohësisht e vetmja që brengoset për të. “Do gjejmë një zgjidhje”, i thotë ajo Anës, para se ajo të largohet për të kaluar muajin tjetër te motra e saj Valbona. Aty tensioni që vërehet në mes të Anës dhe burrit te Valbonës, Enverit (Luan Jahës), sjellë një rrjedhë tjetër në film.

“Mirëpo Ana e filmit është e kundërt me personin në jetën reale, ajo është aktive, flet më shumë mirëpo mua më emocionojnë karakteret të cilat janë më naive”, tregon regjisori Zgjim Terziqi.

Aktorja Makfire Miftari e cila e sjellë mahnitshëm dhe e mishëron rolin e Anës shprehet se ka qenë e lehtë për të që ta sjellë këtë rol pasi që i ka kushtuar shumë kohë përgatitjes dhe hulumtimit të rolit.
“Unë gjatë gjithë kohës jam bërë gati për këtë rol, pasi që na zakonisht gjithë jetën tonë e kalojmë duke u bërë gati për role. Kam qenë e gatshme, e përgatitur dhe kam lexu shumë edhe pse e kam pasur skenarin në një kohë shumë të shkurtë, pesë apo shtatë ditë por kam qenë e gatshme dhe kjo e ka bërë të lehtë”, u shpreh ajo.

Filmi mbaron me pamjen e Anës duke dëgjuar këngën e saj të preferuar në një radio të re, një tregues që ndoshta pavarësisht luftës së Anës, tregon se ajo ia ka arritur që ta gjejë lumturinë që e kërkonte. / KultPlus.com

Të ngjajshme