“Obraz”, portreti i ndërgjegjes, filmi për familjen shqiptare nga regjisori malazez Nikolla Vukçeviq

21 Korrik, 2025 - 12:15 pm

Regjisori malazez, Nikolla Vukçeviq, sjell filmin e tij më të ri “Obraz” apo “Fytyra”, një film që trajton historinë e një familjeje shqiptare.

“Arti më i fuqishëm është ai që të bën ta pyesësh veten: çfarë do të bëja unë në vendin e tij?”, thotë regjisori, teksa përshkruan thelbin e filmit të tij.

Filmi “Obraz”, i bazuar në një histori të vërtetë nga Lufta e Dytë Botërore, rrëfen dilemën morale të Nur Dokës, një shqiptar që strehon një djalë të vogël dhe përballet me zgjedhjen mes dorëzimit të tij tek armiku apo mbrojtjes së tij me rrezikun për jetën e familjes.

Regjisori, i frymëzuar nga rrëfimi i akademikut Zuvdija Hoxhiq, e quan këtë film një “mision personal, profesional dhe artistik”. “Obraz u vlerësua me çmimin për regjinë dhe skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Saragosa.

“’Obraz’ na përball me busullat tona morale, pavarësisht kohës dhe hapësirës”, thotë regjisori, i cili thekson se për të arti duhet të flasë hapur dhe të mos shmangë të vërtetën, sidomos në kohë krizash morale.

Në një intervistë, Nikolla Vukçeviq thotë se e tërhoqi forca morale e këtij rrëfimi, që sipas tij përmban thelbin e një tragjedie antike të rrënjosur në realitetin ballkanik. Ai e përjetoi këtë histori si një mision personal dhe një mesazh universal mbi guximin dhe dashurinë për njeriun në kohë lufte.

Filmi nuk ofron një rrëfim heroik të idealizuar, por portretizon njerëzit me frikërat dhe dobësitë e tyre, duke theksuar dilemën morale që mbetet aktuale edhe sot: si do të reagonim në të njëjtën situatë? Rrëfimi zhvillohet në një hapësirë të kufizuar kohore prej 36 orësh dhe vendos në qendër individin, jo ideologjitë, përcjellë KultPlus.

Vukçeviq thekson se qëllimi i filmit është të nxjerrë në pah vlerat njerëzore që i tejkalojnë ndarjet fetare dhe etnike. Ai e sheh “Obraz” si një film që mund të nxisë reflektim dhe dialog në kohën e polarizimit dhe jotolerancës.

Reagimet ndaj filmit kanë qenë pozitive në festivale ndërkombëtare, duke dëshmuar potencialin e tij për të ndërtuar ura mes njerëzve me përvoja të ndryshme. Veçanërisht te të rinjtë, Vukçeviq ka vërejtur një gatishmëri më të madhe për të pranuar mesazhin e tij.

Filmi është realizuar me përkushtim të madh dhe në kushte të vështira financiare, me një ekip ndërkombëtar nga vende të ndryshme të Ballkanit. Regjisori beson se rrëfime të tilla pozitive janë jetike për shoqëritë tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më tolerante dhe njerëzore./REL/KultPlus.com

Të ngjajshme