Obsesioni për tragjeditë në ekranet e vogla!

19 Qershor, 2019 - 4:30 pm

Suksesi i befasishëm i dramave të bazuara në fakte shkatërrimtare, si “Chernobyl” (Çernobili) dhe “When They See Us” (Në sytë e tyre), na flet për publikun që nuk e kërkon gjithmonë eksapizmin, shkruan Rebecca Nicholson. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.

Para se të përfundonte, seriali “Chernobyl” është votuar në IMDb si më i miri i të gjitha kohëve. Kjo ka nxitur kompaninë “Sky Studios” – që bashkë-prodhoi serinë me HBO-në – që të dyfishojë investimet në përmbajtje origjinale, e të konkurrojnë me lojtarët tjerë, si Netflix.

Netflix ndërkohë po ia del mbanë: seriali me regji nga Ava DuVernay, “When They See Us”, është më i shikuari – që nga premiera më 31 maj.

Të dy ngjarjet e vërteta, që janë të tmerrshme e jo eskapiste, po i tërheqin shikuesit.

Përgjatë katër episodeve brutale, “When They See Us” dramatizon rastin kur disa djem me ngjyrë dhe hispanikë akuzohen gabimisht nën akuzat për përdhunimin e një të bardhe që bënte vrap nëpër Central Park të Nju-Jorkut, e që gjoja u rrah dhe u la e vdekur. Ata që nuk e dinë rastin, tronditen nga dështimi i drejtësisë; ata që e dinë mbajnë mend se adoleshentët u dënuan me nga gjashtë deri 14 vjet dhe se u liruan kur fajtori i vërtetë u rrëfye në vitin 2002.

DuVernay shfaq shkatërrimin që shkakton hetimi i egër dhe paragjykues racist policor. I shohim familjet dhe jetët e shkatërruara, jo vetëm nga padrejtësia, por edhe nga sistemi i korruptuar penal. Kjo nuk është e lehtë për t’u parë. Madje, episodi i fundit që përqendrohet tek Korey Wise, i vetmi nga pesë të pestët që u dërgua në burgjet e të rriturve, është tronditës, i dhunshëm… i tmerrshëm!

Ngjashëm, shikuesit kanë mundur të dinë se çfarë pritet nga pesë episodet e shkëlqyera të serisë “Chernobyl”, që rindërton me profesionalizëm fatkeqësinë më të keqe bërthamore në botë dhe pasojat e saj. Seriali nis me vetëvrasjen e një burri, nën mbikëqyrjen e KGB-së, dhe shpejt kalon te shpërthimi. Nga aty, kalohet te tentimet për të shmangur dështimin, e për të dëshmuar pastaj koston njerëzore të asaj që ndodhi dhe sakrificat që u bënë.

Si tregime të vërteta, “Chernobyl” na paralajmëron për rreziqet e mashtrimeve të qeverisë dhe manipulimin e fakteve, të cilat nuk duken aq të largëta. “When They See Us” përdor pamjet arkivore të Donald Trumpit duke dhënë një intervistë raciste dhe reklamën e tij të tmerrshme ku bën thirrje për kthimin e dënimit me vdekje. Pasojat e të dy dramave i shohim në të sotmen.

Years and Years” (Vite e vite), seria me regji nga Russell T Davies që do të nis së shpejti në HBO, nuk e tregon të vërtetën si seritë e sipërpërmendura, por imagjinon të ardhmen e afërt që mund të ndodhë: luftën bërthamore, katastrofën klimatike, ngritjen e të djathtës ekstreme, krizën masive të refugjatëve… Kjo është ftesë për stres dhe shqetësim; nuk është përvojë e mirë ta shikosh. Por, megjithatë lë gjurmë dhe kërkon vëmendjen tonë. /KultPlus.com

Të ngjajshme